Vdekja e gati 100 fëmijëve në Indonezi ka bërë që vendi të pezullojë të gjitha shitjet e shurupit dhe ilaçeve të lëngshme.
Ky vendim vjen vetëm disa javë pasi një shurup kolle në Gambia dyshohet se shkaktoi vdekjen e 70 fëmijëve.
Indonezia tha se disa shurupe përmbajnë përbërës që shkaktojnë dëmtimet akute të veshkave (AKI), si pasojë e të cilave kanë mbetur të vdekur 99 fëmijë të vegjël vetëm këtë vit. Nuk dihet ende nëse ilaçi është importuar apo nëse u prodhua në vend.
Të enjten, zyrtarët shëndetësorë indonezianë thanë se kishin raportuar rreth 200 raste të AKI te fëmijët, shumica e të cilëve ishin të moshës nën pesë vjeç.
Në fillim të këtij muaji, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) lëshoi një alarm global mbi katër shurupe të kollës që ishin të lidhura me vdekjen e pothuajse 70 fëmijëve në Gambia./UBTNews/