Qeveria e Indisë ka udhëzuar rrjetet sociale të heqin nga çdo përmbajtje termin “varianti indian” i COVID-19, që i referohet variantit B.1.617.
Ministria e Elektronikës dhe Teknologjisë së Informacionit tha se emërtimi i variantit B.1.617 si varianti indian ishte i gabuar. Termat gjeografikë janë përdorur për të përshkruar një numër variantesh të tjera, përfshirë Britaninë e Madhe dhe Brazilin.
Qeveria e Indisë u përball me kritika për menaxhimin e pandemisë. India u godit fuqishëm nga varianti i ri në fund të marsit dhe është në vendin e dytë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës për numrin e përgjithshëm të të infektuarve, me mbi 26 milionë, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.
Numri i rasteve të vdekjeve është afërsisht 300 mijë, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Brazilit, ndonëse disa ekspertë besojnë se numri i vdekjeve është më i lartë.
Sipas njoftimit, rrjeteve sociale u është kërkuar “të heqin menjëherë të gjitha përmbajtjet që i referohen ose përfshijnë termin “varianti indian” i koronavirusit.
B.1.617 është një variant më i transmetueshëm, që së pari u shfaq në Indi vitin e kaluar dhe u shpërnda në dhjetra vende. Një numër i konsiderueshëm i shteteve kanë ndaluar rreptësisht udhëtimet nga India./UBTNews