Brenda dy muajsh pritet që India të bëhet vendi më i populluar në botë me mbi 1.4 miliard banorë. Por për së paku një viti dhe mbase edhe më shumë, vendi nuk do ta di se sa banorë i ka sepse nuk ka mundur ta bëjë regjistrimin e popullsisë.
Regjistrimi i Indisë një herë në një dekadë, që ishte paraparë të bëhej në vitin 2021 porse u shtye për shkak të pandemisë, tani po përballet me pengesa teknike dhe logjistike, dhe nuk ka shenja që pritet të fillojë së shpejti.
Ekspertët thonë se vonesat në përditësimin e të dhënave si punësimi, strehimi, nivelet e shkrim-leximit, modelet e migrimit dhe vdekshmëria foshnjore, të cilat lidhen me regjistrimin, ndikojnë në planifikimin social dhe ekonomik dhe politikëbërjen në ekonominë e madhe aziatike.
Duke i quajtur të dhënat e regjistrimit “të domosdoshme”, Rachna Sharma, një bashkëpunëtore në Institutin Kombëtar të Financave Publike dhe Politikave, tha se studimet si anketa e shpenzimeve të konsumit dhe anketa periodike e fuqisë punëtore janë vlerësime të bazuara në informacione nga regjistrimi.
“Në mungesë të të dhënave të fundit të regjistrimit, vlerësimet bazohen në të dhëna që datojnë qe një dekadë dhe që mund të japin vlerësime që janë larg realitetit”, tha ajo.
Një zyrtar i lartë në Ministrinë e Statistikave dhe Zbatimit të Programit tha se të dhënat mbi regjimistrin e popullsisë të vitit 2011, kur u krye regjistrimi i fundit, përdoren për parashkime dhe vlerësime të nevojshme mbi shpenzimet e Qeverisë.
Nga Qeveria e Indisë nuk dhanë detaje mbi procesin e regjistrimit. Megjithatë partia kryesore opozitare e Kongresit dhe kritikët e kryeministrit Narendra Modi kanë akuzuar Qeverinë për vonimin e procesit të regjistrimit për siç thonë ata për të fshehur të dhënat mbi çështje të ndjeshme politike, sikurse papunësia, para zgjedhjeve kombëtare që do të mbahen në vitin 2024.
Kombet e Bashkuara kanë parashikuar se popullsia e Indisë mund të arrijë në 1 miliard e 425 milionë e 775 mijë e 850 më 14 prill. Kësisoj India do ta kalojë Kinën për nga numri i popullsisë. Sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, India kishte 1.21 miliard banorë./UBTNews/