Organizata e Kombeve të Bashkuara njoftoi të martën se popullsia globale ka shkuar në 8 miliardë banorë, duke përfaqësuar “një moment historik në zhvillimin njerëzor” para se normat e lindjeve të fillojnë të ngadalësohen.
Sipas njoftimit të OKB-së, 1 miliard banorë i janë shtuar popullsisë globale në vetëm 12 vjet.
“Kjo rritje e paprecedentë është për shkak të rritjes graduale të jetëgjatësisë njerëzore për shkak të përmirësimeve në shëndetin publik, të ushqyerit, higjienën personale dhe mjekësinë. Është gjithashtu rezultat i niveleve të larta dhe të vazhdueshme të lindshmërisë në disa vende”, thuhet në deklaratën e OKB-së.
Vendet me të ardhura mesatare, kryesisht në Azi, përbëjnë pjesën më të madhe të rritjes gjatë dekadës së fundit, duke iu shtuar rreth 700 milionë banorë që nga viti 2011. Indisë iu shtuan 180 milionë banorë dhe vitin e ardhshëm mund ta kalojë Kinën si vendi më i populluar në botë.
Por edhe pse popullsia globale po arrin nivele të larta, demografët thonë se shkalla e rritjes ka rënë në mënyrë të qëndrueshme në më pak se 1% në vit.
OKB-ja parashikon se popullsia globale do të arrijë kulmin në rreth 10.4 miliardë njerëz në vitin 2080 dhe do të mbetet në atë nivel deri në vitin 2100./UBTNews/