UBT News

India dha 20 milionë vaksina brenda një dite për ta shënuar ditëlindjen e kryeministrit Modi

Të premten India shënoi rekord ditor me administrimin e më shumë se 20 milionë dozave të vaksinës kundër COVID-19 për ta shënuar ditëlindjen e 71-të të kryeministrit Narendra Modi. Kështu India theu rekordin paraprak të 27 gushtit ku ishin administruar mbi 13 milionë doza brenda një dite.

India synon të vaksinojë pjesën më të madhe të popullsisë deri në fund të vitit 2021, por ekspertët thonë se procesi i vaksinimit duhet të shkojë me një ritëm që të përmbushet objektivi. Deri më tani India ka administruar 787 milionë doza të tri vaksinave të miratuara për përdorim.

Diku 588 milionë njerëz kanë marrë së paku një doze vaksine, por vetëm 20% e të rriturve janë vaksinuar plotësisht qysh prej fillimit të vaksinimit në muajin janar.

India ka raportuar më shumë se 33 milionë raste me COVID-19, dhe është vendi i dytë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës me numrin e rasteve të konfirmuara. Kurse sa i përket rasteve të vdekjes, India renditet e treta pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Brazilit, me më shumë se 440 mijë viktima si pasojë e COVID-19./UBTNews

Exit mobile version