Pamje të rënda: Pacientët me Covid vdesin para spitaleve, s’ka shtretër
India është goditur rëndë nga vala e dytë e pandemisë së koronavirusit. Ky shtet madje shënoi rekord botëror prej më shumë se 314 mijë rasteve të reja me Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit.
Transmetuesi publik britanik, BBC, ka publikuar pamje shqetësuese të personave të shtrirë në shtretër me rrota para spitaleve, përderisa familjarët e tyre i lusin punëtorët shëndetësorë që t’i marrin të dashurit të tyre që janë në gjendje të rëndë.
Gjatë 24 orëve të fundit u regjistruan edhe 2.104 viktima të reja, që gjithashtu është shifër rekorde për shtetit e dytë në botë për numër banorësh. Vetëm në katër ditët e fundit, në Indi janë regjistruar mbi një milion të infektuar, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Në rajonin Maharashtra, së paku 24 pacientë me Covid-19 vdiqën të mërkurën, kur oksigjeni në ventilatorë u mbaroi për shkak të një rrjedhjeje. Ky rajon i ashpërsoi masat e izolimit, duke e kufizuar në masë të madhe udhëtimin me vetura private, ndërsa trenat mund t’i përdorin vetëm punëtorët shëndetësorë dhe qeveritarë.