UBT News

INDEP: Koeficientët të harmonizohen me pagën minimale, jo me lojërat e partive për pushtet

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka reaguar ndaj paralajmërimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave për punëtorët e sektorit publik nga janari i vitit 2025. Në reagim thuhet se rritja e pagave po ndodhë për qëllime elektorale.

INDEP shpreh shqetësimin e thellë që, për të disatën herë, partitë politike në Kosovë po përdorin ndryshimet në nivelet e pagave të sektorit publik për qëllime elektorale. Vendimi i fundit i Qeverisë për rritjen graduale të koeficientëve të pagave në sektorin publik dhe reagimet e ngjashme nga opozita janë shembull tjetër i kësaj prirjeje shqetësuese, veçanërisht në kohën kur vendi po i afrohet zgjedhjeve të reja”, thuhet në reagim.

Më tej thuhet se në kohën e diskutimit dhe miratimit të Ligjit për Pagat, INDEP kishte argumentuar se koeficientet duhet të ndërlidhen drejtpërdrejt me vlerën e pagës minimale.

Ky model jo vetëm që do të ofronte transparencë dhe një bazë të qëndrueshme, por edhe do të siguronte një lidhje të domosdoshme mes sektorit publik dhe atij privat. Procesi për përcaktimin e pagës minimale, i cili është rezultat i propozimit nga Këshilli Ekonomiko-Social – organ ku përfaqësohen partnerët socialë, përfshirë përfaqësuesit e sektorit privat (odat ekonomike, sindikatat dhe Qeveria) – është gjithpërfshirës dhe reflekton një qasje të balancuar që garanton respektim të interesave të të gjitha palëve”, thuhet në komunikatë.

Për me tepër INDEP vlerëson se rritja e njëanshme e pagave në sektorin publik pa një ndërlidhje direkte me sektorin privat shkakton jo vetëm ndasi ekonomike, por ndikon në të gjithë ekuilibrin ekonomik të vendit.

Këto ndryshime duhet të jenë rezultat i rritjes ekonomike të përgjithshme dhe të vendimmarrjes së përbashkët sociale, e jo premtimeve a vendimeve në prag të zgjedhjeve. Praktikat e përsëritura të partive politike për të manipuluar me pagat publike gjatë cikleve zgjedhore janë precedent i dëmshëm që minon integritetin e politikave publike dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik”, thuhet në njoftim.

INDEP apelon që rritjet e koeficientëve të pagave të jenë produkt i një metodologjie të qartë, transparente dhe të parashikueshme, të mbështetur në indikatorë ekonomikë të mirëfilltë dhe në një qasje të konsultuar me të gjitha palët.

Në fund thuhet se manovrat politike, që synojnë të shfrytëzojnë ndjeshmërinë e qytetarëve ndaj kushteve ekonomike për përfitime elektorale, e largojnë fokusin nga politikat afatgjata dhe zhvillimi i qëndrueshëm.

Rritja e inflacionit dhe përkeqësimi i kushteve të jetesës për qytetarët kërkon një qasje të përbashkët, ku interesi publik dhe mirëqenia ekonomike e të gjithë qytetarëve janë mbi interesat partiake. Për një sistem pagash më të drejtë dhe të qëndrueshëm, INDEP edhe njëherë bënë thirrje për harmonizimin e koeficientëve me pagën minimale dhe për një politikë që bazohet në ligjvënie gjithëpërfshirëse, larg premtimeve të brishta dhe politizimit elektoral”, thuhet në fund të reagimit.

Qeveria e Kosovës dje ka vendosur që nga janari i vitit të ardhshëm t’i rrisë pagat për punonjësit e sektorit publikë për 55 euro në muaj, ndërsa nga korriku do të ketë rritje për 110 euro.

Nga kjo rritje do të përfitojnë, mësuesit, policët, infermierët, ushtarët dhe zjarrfikësit.

Sipas prezantimit të tabelës, mësuesit aktualisht kanë 616 euro pagën bazë, ndërkaq me rritje do të marrin 726 euro.

Policët nga 550 euro do të marrin 660 euro, infermierët nga 605 do të marrin 715 euro, zjarrfikësit nga 550 euro do të marrin 660 euro dhe ushtarët nga 616 euro do të marrin 726 euro.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se buxheti i planifikuar për vitin 2025 është 3.6 miliardë euro.

Exit mobile version