Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri ka reaguar me shqetësim në lidhje me incidentet e dhunshme që u regjistruan në seancën e fundit të Kuvendit të Shqipërisë, ku opozita mes të tjerash ndezi dhe zjarr në oborrin para godinës për të djegur karriget e tyre.
Përfaqësia e diplomacisë amerikane iu bën thirrje të dyja palëve kryesore në Kuvend që të rikthehen te dialogu konstruktiv.
“Ambasada e SHBA është thellësisht e shqetësuar për shkatërrimin dhe forcën e shpalosur në parlamentin shqiptar të hënën. Akte të tilla dëmtuese dhe potencialisht lënduese nuk kanë vend në procesin demokratik. Nxisim të gjitha palët e përfshira të ushtrojnë vetëpërmbajtje, të angazhohen në dialog konstruktiv si dhe të përqafojnë vlerat e respektit dhe qytetarisë. Mbështesim diskutimet paqësore dhe bashkëpunuese lidhur me negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE si dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë krah institucioneve shqiptare teksa punojnë për ta sjellë Shqipërinë më pranë bashkësisë euro-atlantike”, shkruhet në reagimin e SHBA.