Policia e Kosovës ka njoftuar se rreth orës 06:30, një grua ka kërkuar ndihmë, pasi që është ndier e frikësuar nga bashkëshorti i saj, i cili i ka shkuar në vendin e punës dhe i ka kufizuar lëvizjen.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka thënë se zyrtarët policor kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për sigurinë e ankueses, ndërkaq ka neutralizuar veprimet e të dyshuarit.
“Aktualisht policia po trajton rrethanat e raportuara që ndërlidhen me rastin, përderisa të dyshuarin e ka shoqëruar në stacioni policor si pjesë e vijimësisë hetimore”, tha ai.
Më herët, Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka njoftuar se në orët e hershme të mëngjesit, është njoftuar për një incident, brenda hapësirave të klinikave.
Sipas njoftimit, menjëherë janë ndërmarrë masat emergjente nga institucioni, është njoftuar edhe Policia e Kosovës.
“Pas masave të ndërmarra rasti është izoluar dhe nuk paraqet rrezik”.
Sipas informatave, rasti ka ndodhur në hapësirat e Klinikës së Nefrologjisë në QKUK, ku i dyshuari ka kërcënuar gruan se do të hidhej nga dritarja e dhomës. Aty ka reaguar edhe zjarrfikësit.