Është inauguruar Qendra e Pritjes për Migrantë në Vranidoll, e cila do të sigurojë strehim për migrantët e ngecur, të cilët deri më tani kanë përfunduar shpesh duke jetuar në zona të grumbulluara, në rrugë ose në apartamente të mbipopulluara të përdorura nga rrjetet e kontrabandës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se kjo qendër është edhe një konsolidim i mëtejshëm i mekanizmave tonë shtetëror lidhur me menaxhimin e migrimit në vend, respektivisht menaxhimin e pritjes, regjistrimit dhe profilizimit.
Ministri Sveçla tha po ashtu se menaxhimi i migrimit është ndër prioritetet e qeverisë dhe këtë, siç tha ai e kanë dëshmuar me miratimin e Strategjisë për Migrim 2021-2025.
“Kjo qendër do të garantojë që kushtet e pritjes së migrantëve të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut si dhe trajtimin human dhe të dinjitetshëm të migrantëve. Në cilësinë e ministrit do të vazhdoj të angazhohem maksimalisht në avancimin e politikave të migrimit, në veçanti në ngritjen e kapaciteteve në aspektin e akomodimit e po ashtu edhe në avancimin e kushteve e ofrimin e shërbimeve”, tha Sveçla.
Ambasadori i BE në Kosovë, Tomáš Szunyogi, tha se migracioni është në krye të listës prioritare për BE-në, derisa ka shtuar se ka sfida sa i përket përballimit me migracionin në Kosovë.
“Ka sfida sa i përket përballimit me migracionin në Kosovë. Po ashtu pandemia Covid-19 ishte sidë, por që nuk ka pasur shpërthim të pandemisë këtu në Qendrën e Azilit. Ne jemi bashkë me ata që i kanë lënë shtëpitë e tyre dhe janë përballur me rreziqet për të gjetur një strehë të sigurt dhe me qendrën e re të migracionit krijohen kushte të reja për akomodim”, tha ai.
Koordinatorja për Zhvillim e Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson, tha se Qeveria e Kosovës është përkushtuar për pranimin e njerëzve që janë në gjendje të cenueshme.
“Të gjitha këto veprime po tregojnë përkushtimin e qeverisë për ngritjen e kapaciteteve për pranimin e njerëzve që janë në gjendje të cenueshme dhe trajtimi i tyre në mënyrë të dinjitetshme”, theksoi ajo.
Ndërsa, Anna Rostocka, shefe e misionit të IOM-it, theksoi se ngritja e qendrës së pritjes është një moment historik në menaxhimin e flukseve të migracionit dhe mbrojtjen e të drejtave të migrantëve.
Ajo tha po ashtu se migrantët duhet të kenë qasje në shërbimet bazike dhe në informacion të saktë dhe të besueshëm që u mundëson atyre të marrin vendime të informuara.
IOM do të vazhdojë të mbështesë autoritetet në forcimin e identifikimit të migrantëve të cenuar si viktimat e trafikimit apo fëmijët e pashoqëruar, si dhe në ofrimin e asistencës adekuate.
Qendra e Pritjes është krijuar në kuadër të projektit “Adresimi i sfidave të COVID-19 në kuadër të reagimit ndaj migrantëve dhe refugjatëve në Ballkanin Perëndimor” zbatuar nga IOM dhe UNHCR dhe financuar nga Instrumenti i Fqinjësisë, Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Bashkimit Evropian (NDICI). Vlera totale e renovimit është afër 450,000 euro.