Shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla dhe konsulli i përgjithshëm i Kosovës në Strasburg, ambasadori Lulzim Hiseni, inauguruan sot objektin e ri të Konsullatës së Kosovës në Strasburg.
Objekti i ri i konsullatës është vendosur në një zonë strategjike ngjitur me qendrën historike të qytetit, prapa katedrales së njohur “Saint Paul” dhe në mes të aleatëve më të fortë të Kosovës, misionit diplomatik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Gjermanisë.
Gërvalla tha se është e lumtur që sërish këtë vit të gjitha institucionet ndërkombëtare të besueshme e kanë konfirmuar Kosovën si kampion të demokracisë dhe sundimit të ligjit në rajon. Ndërsa ambasadori Hiseni tha se blerja e kësaj prone në zemër të Strasburgut, kryeqyteti evropian, simbol i paqes dhe pajtimit, tregon përkushtimin e Kosovës për të qenë thellësisht e rrënjosur në vlerat evropiane.
Objekti i sapo inauguruar është pronë e Kosovës dhe vjen pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të blerë hap pas hapi objektet e misioneve të Kosovës jashtë vendit.
Tashmë janë blerë objektet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Senegal dhe Kroaci.