Ekspozita në Galerinë Kombëtare të Arteve, “Paris 1874: Momenti Impresionist,” përplas dy botë artistike sapo hyn vizitori.
Në të djathtë, një pikturë madhështore dhe tejet e detajuar nga Jean-Léon Gérôme, plot dramë dhe hijeshi historike, ku figura të veshura me detaje të pasura përfaqësojnë realitetin e ngritur në art akademik. Në të majtë, një vepër më e vogël nga Claude Monet, me një skenë porti të mjegullt dhe një diell të kuq që ndriçon ujin, një interpretim i lirë dhe plot emocion i natyrës, shembulli i pastër i impresionizmit.
Ky kontrast mes “L’Eminence Grise” të Gérôme, një pikturë e vitit 1873 që mishëron idealet akademike, dhe “Impression, Sunrise” të Monet, vepra që dha emrin impresionizmit, simbolizon përplasjen mes traditës dhe revolucionit artistik që përcaktoi artin në fund të shekullit të 19-të. Teksa Gérôme vazhdonte të korrte suksese në Sallonet zyrtare, ku arti akademik triumfonte, grupi Société Anonyme i Monet dhe kolegëve të tij të rinj po shpërfaqte një stil të ri që do të sfidonte këto konventa.
Ekspozita e vogël e organizuar nga Monet dhe të tjerët në vitin 1874 mund të jetë parë si e parëndësishme në kohën e saj, sidomos krahasuar me shfaqjen kolosale të Salonit zyrtar, por në retrospektivë, ajo u kthye në një moment kyç në historinë e artit. Edhe pse vetëm 3,500 vizitorë kaluan pragun e kësaj ekspozite, krahasuar me më shumë se gjysmë milionë që shihnin veprat akademike në Pallatin e Industrisë, ndikimi i kësaj ekspozite mbetet i paçmuar.
Ekspozita e Galerisë Kombëtare fton vizitorët të përjetojnë një moment vendimtar në historinë e artit, ku dy vizione të kundërta u përplasën: njëri i ankoruar në traditë dhe tjetri që përpiqej të kapte frymën e botës në lëvizje. Teksa punimet e Gérôme qëndronin krenare në Sallonin e lavdishëm, impresionistët po ndërtonin ngadalë por sigurtë një revolucion që do të ndryshonte përgjithmonë mënyrën se si shihnim artin dhe botën përreth nesh. /UBTnews/