Nga Berat Rukiqi – 1) Qasja në financa dhe sigurimi i likuiditetit për kompanitë: Kompani nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë kanë rënie të qarkullimit në shkallë të ndryshme. Kjo rënie e qarkullimit e ka vështirësuar aftësinë e kompanive për t’i mbuluar shpenzimet që krijohen gjatë operimit. Në rastet kur kompanitë kanë probleme financiare në Kosovë, alternativë të vetme ku drejtohen e kanë bankën. Në tërë periudhën e pandemisë, bankat kanë shtrënguar kriteret e financimit afatshkurtë apo afatgjatë për bizneset nga sektorët që kanë rënien më të madhe të qarkullimit. Dispozitat e Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike që mundësojnë dritare të reja garantuese për bizneset, përmes Fondit për Garantimin e Kredive, krijojnë mundësi që bizneset me garancën e shtetit të sigurojnë financime të reja nga bankat, për likuiditet (kapital qarkullues) apo projekte investime dhe të kenë më shumë komoditet për ristrukturim të pozicionit të tyre financiar. Mbi 100 milionë pritet të jetë skema e garantimit të kredive, gjë që mundëson mobilizim të rreth 400 milionë eurove, për financim të bizneseve;
2) Ligji për Rimëkëmbjen, krijon bazë ligjore për një “kuazi” amnisti fiskale, për të lehtësuar gjendjen financiare të bizneseve që nuk kanë arritur të paguajnë tatimet e rregullta, rrjedhimisht janë ballafaquar me ndëshkime/gjoba tatimore dhe me kamata për shkak të vonesave në pagesën e tatimeve. Një pjesë e ndëshkimeve dhe kamatave për vonesat në kryerjen e obligimeve tatimore do të “falen”, për të lehtësuar gjendjen e rënduar të bizneseve të ndikuara nga pandemia;
3) Për prodhuesit vendor: Përparësi në projektet e financuara me paranë publike (blerjet permes prokurimit publik) dhe TVSH ) 0% për lëndën e parë të blerë brenda vendit (kjo amse pritet të rrit aftësinë konkurruese për bizneset vendore që prodhojnë lëndë të parë);
4) 200 milionët për financim direkt të bizneseve: Në mënyrë që këto mjete të kanë efektin maksimal në ekonomi, të njëjtat duhet të shpërndahen shpejtë. Duhet të ndërtohet një sistem i thjeshtë për aplikim dhe shpërndarje. Kësaj radhe ka më shumë kohë për planifikim te shpërndarjes, prandaj duhet të prioritizohen më mirë sektorët. Sektorët me rënie më të madhe të qarkullimit duhet të pranojnë vlerë më të lartë nga këto mjete. Po ashtu duhet të ketë skema të veçanta të financimit për: eksportin, ekonominë digjitale, ekonominë e gjelbër, bizneset e reja, gratë në biznes dhe riaftësimin e fuqisë punëtore.