Ish-presidenti i Shqipërisë dhe lideri i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, pritet të njoftohet zyrtarisht këtë të hënë për përfundimin e hetimeve nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Meta do të paraqitet në ambientet e SPAK-ut rreth orës 11:00, i shoqëruar nga paraburgimi në Burgun 313, ku ndodhet që nga 21 tetori i vitit të kaluar. Ai do të jetë në prani të avokatit të tij mbrojtës, Kujtim Cakrani.
Në këtë seancë, ish-presidenti pritet të njoftohet zyrtarisht me mbylljen e hetimeve dhe të firmosë dokumentacionin përkatës.
E njëjta procedurë është ndjekur më herët edhe për ish-bashkëshorten e Metës, Monika Kryemadhi, si dhe për bashkëpunëtorët e afërt të çiftit, Ema Çoku dhe Piro Xhixho.
Ndaj Xhixhos, SPAK ka ngritur akuzën për “korrupsion pasiv”, ndërsa Ema Çoku përballet me akuzën për “pastrim parash”.