Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se tash e tutje ofrohet vaksinimi kundër Human Papilloma Virusit (HPV), edhe për vajzat nga mosha 13-21. Përmes një njoftimi zyrtar, thuhet se për këtë grupmoshë, vaksinimi kundër HPV bëhet në baza vullnetare.
Po ashtu, kanë bërë të ditur se pas fazës së parë të suksesshme të vaksinimit kundër HPV, për vajzat e klasave të gjashta, sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit, tani ka filluar faza e dytë, gjatë të cilës deri më 31 dhjetor 2024, vaksinën kundër HPV mund ta marrin edhe vajzat të cilat s’janë vaksinuar gjatë fazës së parë.
“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njofton se, me rekomandim të Komitetit Profesional Këshillues për Vaksinim, dhe me miratimin e Ministrisë së Shëndetësisë, tash e tutje, ofrohet vaksinimi kundër Human Papilloma Virusit (HPV) edhe për vajzat nga mosha 13-21 vjeçe. Për këtë grup-moshë, vaksinimi kundër HPV bëhet në baza vullnetare. Vaksinimi bëhet në të gjitha Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në komunat përkatëse dhe në IKSHPK”, thuhet në postimin e tyre.