Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë me respektimin e masave kundër COVID-19, për shkak se në rajon dhe në botë është rritur numri i rasteve me koronavirus.
Në njoftimin e IKShPK-së të lëshuar në rrjetin social Facebook thuhet se situata me COVID-19 në Kosovë është stabile.
“Situata epidemiologjike në Kosovë aktualisht është stabile, por në rajon, Evropë dhe botë është rënduar javët e fundit me shfaqjen e variantit të ri të virusit SARS CoV-2 Omicron (B.1.1.529) i cili është raportuar tashmë në shumë shtete të botës dhe rrezikon përhapjen e këtij varianti edhe në Republikën e Kosovës. Ne jemi duke vazhduar pandërprerë me gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik. Situata epidemiologjike mund të përkeqësohet në rast të rritjes së rasteve të reja, dhe kjo do të mund të paraqesë mbingarkesë të re për sistemin shëndetësor dhe për profesionistët shëndetësor. Andaj, IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, për respektimin e të gjitha masave sipas vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.