Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) thotë se programi i imunizimit konsiderohet si proces i suksesshëm në kuadër të fushës së shëndetit publik. Me këtë rast vaksinimi është një nga intervenimet më kost-efektive, e dëshmuar se shpëton jetëra të shumta nga sëmundjet.
Në njoftimin e IKShPK-së thuhet se “Vaksina e gripit në Kosovë ofrohet çdo vit para sezonës së gripit për grupet me risk të lartë. Bazuar në analizën e raporteve të përfshirjes me vaksinim të viteve paraprake është bërë planifikimi për sigurimin e sasisë së vaksinave prej 140.000 dozave gjatë sezonës 2021/22 për tërë territorin e vendit”.
IKShPK rekomandon vaksinimin e secilit qytetarë me vaksinën kundër gripit sezonal si metodën më të mirë për mbrojtje ndaj formave të rënda të gripit sezonal dhe vdekjes.
Njoftimi i plotë i IKShPK-së:
VAKSINA KUNDËR GRIPIT SEZONAL
Programi i imunizimit konsiderohet si proces i suksesshëm në kuadër të fushës së shëndetit publik në Kosovë. Vaksinimi është një nga intervenimet më kost-efektive, e dëshmuar se shpëton jetëra të shumta nga sëmundjet, pasojat e tyre dhe vdekjet.
Me qëllim të zvogëlimit dhe eliminimit të rrezikut për paraqitjen e epidemisë së gripit si dhe sëmundjeve të tjera vaksinë parandaluese, një nga prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës është edhe zbatimi i programit të zgjeruar të imunizimit, duke synuar përfshirjen e të gjitha komuniteteve të cilat jetojnë në territorin e Kosovës.
Ministria e Shëndetësisë ka siguruar qëndrueshmëri financiare për programin e zgjeruar të imunizimit (PZI), vaksinat sipas indikacioneve si dhe ato të trafikut ndërkombëtarë. Në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), si mbikëqyrës i zbatimit të programit të imunizimit si dhe Institucionet e kujdesit parësor shëndetësor si institucione zbatuese, është siguruar funksionalizimi i PZI-së, në përgjithësi. Synimi kryesor është përfshirja me vaksinë të gripit e të gjithë personave me risk të lartë në Republikën e Kosovës për t’i mbrojtur nga viruset e gripit sezonal që mund të parandalohet përmes vaksinimit (VPS) si dhe sigurimin e mbulueshmërisë sa më të madhe me vaksinë.
Krahas vaksinimit të obliguar me Ligj për fëmijët e grup moshës së caktuar, vaksinimi sipas indikacioneve epidemiologjike dhe trafikut ndërkombëtar ka rëndësinë e vet në parandalimin e përhapjes së sëmundjeve të ndryshme jo vetëm brenda territorit të Kosovës, por edhe nga një shtet në tjetrin.
Sa u përket praktikave të imunizimit dhe administrimit të vaksinave, ato janë cilësore dhe procedurat respektohen sipas standardeve ndërkombëtare. Vaksinat e gripit sezonal janë të sigurta, efektive dhe me kosto efektive. Efektet e padëshirueshme pasvaksinale janë të rralla dhe kryesisht minore.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) në vitin 1994 ka themeluar të ashtuquajturën “Global Programme for Vaccines and Immunization” (Programi Global për Vaksina dhe Imunizim) ku si qëllim të vetëm ka përcaktuar “Bota në të cilën të gjithë njerëzit me rrezik janë të mbrojtur nga sëmundjet ngjitëse vaksinë-preventabile”. Në njohjen e domethënies kërcënimi shëndetësor i paraqitur nga kjo sëmundje, autoritetet e shëndetit publik në vendet me të ardhura të larta dhe të ulëta po i japin përparësi gjithnjë e më shumë parandalimit dhe kontrollit të gripit.
Vaksina e gripit në Kosovë ofrohet çdo vit para sezonës së gripit për grupet me risk të lartë. Bazuar në analizën e raporteve të përfshirjes me vaksinim të viteve paraprake është bërë planifikimi për sigurimin e sasisë së vaksinave prej 140.000 dozave gjatë sezonës 2021/22 për tërë territorin e vendit.
Imunizimi është një nga fushat e rëndësisë strategjike për shëndet publik. Vaksina e gripit është metoda më e mirë për parandalimin dhe kontrollin e gripit. Vaksinat e gripit sezonal janë në dispozicion dhe janë përdorur për më shumë se 60 vjet. Gripi shkakton 3-5 milionë raste të formës së rëndë të sëmundjes si dhe deri në 650,000 vdekje në vit në nivel global. Infeksionet e traktit respirator të poshtëm janë shkaku kryesor i vdekjeve në vendet me të ardhura të ulta çdo vit.
SAGE (Grupi Strategjik Këshillëdhënës i Ekspertëve në OBSH) rekomandon vaksinimin vjetor sezonal të gripit për pesë grupe të synuara: punëtorët shëndetësorë, personat mbi moshën 65 vjeçare, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike.
Vaksinimi kundër gripit sezonal është treguar i suksesshëm në zvogëlimin e barrës substanciale kombëtare, rajonale si dhe barrën globale shëndetësore dhe ekonomike nga gripi sezonal.
Gripi sezonal është infeksion akut i frymëmarrjes të shkaktuara nga dy lloje të virusit të gripit (llojet A dhe 😎, të cilat qarkullojnë në të gjitha botën që karakterizohet me fillim të papritur me ethe dhe kollë. Simptoma të tjera mund të përfshijnë dhimbje koke, dhimbje të muskujve, dhimbje të kyçeve, dhimbje të fytit si dhe rrjedhje të hundës. Në shumë raste, nuk është e lehtë klinikisht të dallosh gripin sezonal nga infeksione të tjera të frymëmarrjes ku bënë pjesë edhe COVID-19, ku për diagnozë përfundimtare kërkohet një test diagnostik.
Në këtë kontekst, OBSH ka zhvilluar dy standarde për kufizimet e rasteve në mbikëqyrjen kombëtare të gripit: sëmundjet e ngjashme me gripin (ILI) dhe infeksion i rëndë akut respirator (SARI).
Përkufizimet e rasteve të OBSH -së për ILI janë: infeksion akut i frymëmarrjes me ethe e matur ≥ 38 ° C, kollë, me fillimin brenda dhjetë ditëve të fundit.
Përkufizimi i rastit SARI: infeksion akut i frymëmarrjes me histori ethe ose ethe të matur ≥ 38 ° C, kollë, me fillimin brenda dhjetë ditëve të fundit dhe kërkon shtrimin në spital.
Mënyra më e mirë për parandalimin e gripit sezonal realizohet përmes vaksinimit me vaksinë kundër gripit sezonal një herë në vit.
Veçoritë e vaksinave të gripit janë:
• të sigurta dhe përgjithësisht tolerohen mirë;
• kyçe për zvogëlimin e barrës shëndetësore dhe ekonomike të grip;
• parandalojnë sëmundjen dhe vdekjen si dhe zvogëlojnë transmetimin dhe ashpërsinë e sëmundjes;
• shumë rrallë paraqiten efekte anësore serioze.
• gripi sezonal mund të jetë vdekjeprurës., andaj për tu mbrojtur kundër Gripit, rekomandohet vaksinimi vjetor i grupeve të synuara (punëtorët shëndetësorë, gratë shtatzëna, fëmijët me sëmundje kronike, të moshuarit si dhe personat me sëmundje kronike).
• vaksinimi zvogëlon nevojën për trajtim me antiviral, të cilat mund të humbasin efektivitetin kur përshkruhen shumë (për shkak të rezistencës ndaj barnave).
• vaksinimi kundër gripit sezonal zvogëlon koston e shpenzimeve për sistem shëndetësor.
• programi i vaksinimit sezonal të gripit gjithashtu ndihmon në përgatitjen e sistemeve shëndetësore për urgjencat e shëndetit publik duke ndërtuar sistemet për shpërndarjen e vaksinave në kohë.
• fushatat e vaksinimit të gripit sezonal mund të ndërtohen, dhe krijohet me programe të tjera të vazhdueshme të imunizimit, si p.sh për të rritur, punonjës shëndetësorë, dhe grupe të tjera të synuara në programin e vaksinimit.
• Sipas rekomandimeve të fundit të CDC-së, vaksina kundër COVID-19 dhe vaksina kundër gripit sezonal mund të administrohet në të njëjtën kohë. (https://www.cdc.gov/flu/season/faq-flu-season-2021-2022.htm)
• Personat e sëmurë me COVID-19, pasi që të shërohen mund të vaksinohen me vaksinën kundër gripit sezonal
Vaksinat e gripit sezonal synojnë tre ose katër lloje të viruseve të gripit që jenë në qarkullim për sezonin.
OBSH thërret takimin për përbërje të vaksinës dy herë në vit për të rishikuar të dhënat e fundit të mbikëqyrjes së gripit, parashikon cilat lloje të virusit ka më shumë gjasa të qarkullojnë gjatë sezonit të ardhshëm të gripit, dhe rekomandon përbërjen e vaksinës trivalente dhe katërvalente. Vaksina trivalente e gripit mbron kundër dy viruseve të gripit A dhe një virusi B. Vaksina katërvalente e gripit mbron kundër dy viruseve të gripit A dhe të dy viruseve të gripit B. Të dy llojet mund të përfitohen duke përdorur virus të dobësuar (vaksina të zbutura të gjalla) ose duke përdorur një proteinë ose pjesë të virusit të vdekur (vaksina të çaktivizuara). Vaksinat e vdekura rekomandohen për gratë shtatzëna, të moshuarit dhe personat me imunitet të komprometuar. Vaksinat e gripit e gjallë e dobësuar mund të përdoren si sprej nazal dhe mund të shkaktoj mbrojtës më të lartë si dhe përgjigje imune afatgjatë në popullatat kryesisht te fëmijët mbi dy vjeç si dhe me efikasitet më të ulët tek adoleshentët dhe të rriturit. Përdorim më të gjërë nga vaksinat e gripit që janë të licencuara për përdorim janë vaksinat e vdekura, edhe pse janë në dispozicion edhe vaksinat e gjalla janë (rekomandohet për fëmijët në Gjermani dhe Mbretëri të Bashkuar)
Vaksinat e gripit zakonisht nuk janë të qëndrueshme ndaj nxehtësisë dhe ngrirjes prandaj kërkojnë ruajtje të zinxhirit të ftohtë +2 deri në +8 C nga momenti i prodhimit deri në momentin kur ato administrohen.
Këto vaksina konsiderohen globalisht të sigurta dhe tolerohet mirë, me pak efekte anësore serioze ose komplikime.
Efektet anësore të zakonshme nga vaksinimi i gripit sezonal përfshijnë dhimbje, skuqje dhe ënjtje në vendin e injektimit si dhe efektet sistemike si ethe, dhimbje koke, nauze dhe dhimbje të muskujve. Këto efekte anësore janë përgjithësisht të lehta dhe largohen brenda pak ditësh. Komplikimet serioze nga vaksinimi kundër gripit sezonal janë të rralla.
Në veçanti, shqetësimet në lidhje me Sindromën Guillain Barr (GBS) nuk mbështeten nga hulumtimet e fundit. Dëshmitë tregojnë se një person ka më shumë gjasa për të marrë GBS nga gripi sesa nga vaksina. Efektiviteti i vaksinave të gripit sezonal, megjithatë, ndryshon në varësi të moshës dhe statusit imunitar të personit.
Doza përforcuese e COVID-19 dhe vaksina e gripit
Personat të cilët marrin dozën përforcuese të vaksinës COVID-19 ose edhe dozën e parë ose të dytën, gjithashtu rekomandohet të marrin edhe vaksinën e gripit sezonal. Meqenëse OBSh ka paralajmëruar sezonë shumë më agresive të gripit sezonal 2021/2022, atëherë MSh ka siguruar doza të gripit sezonal në sasi të mjaftueshme që situata epidemiologjike të jetë sa më e mirë.
Prandaj IKShPK rekomandon vaksinimin e secilit qytetarë me vaksinën kundër gripit sezonal si metodën më të mirë për mbrojtje ndaj formave të rënda të gripit sezonal dhe vdekjes.