Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka apeluar te qytetarët që të bartin maskat, të respektojnë masat antiCOVID e të vaksinohen kundër këtij virusi.
Nga IKShPK kanë thënë se varianti Omicron po vazhdon të përhapet me intensitet të lartë, me shtim të hospitalizimeve dhe rasteve fatale dhe është varianti dominues në qarkullim.
“Situata epidemiologjike mund të përkeqësohet edhe më shumë ditët në vazhdim, andaj IKShPK apelon tek të gjithë qytetarët që të respektohen masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Na ndihmoni që të ju ndihmojmë”, thuhet nga ky institut.
Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, IKShPK bën thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim. IKShPK rekomandon institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë.