Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) u ka bërë thirrje prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët, duke theksuar se vaksinimi është masa më e rëndësishme dhe më efikase për mbrojtjen nga fruthi dhe sëmundjet e tjera.
Sipas të dhënave të institutit, nga 16 prilli deri më 4 tetor 2026 janë konfirmuar 186 raste me fruth në Kosovë, ndërsa gjashtë raste të reja janë regjistruar vetëm gjatë javës së fundit. Mbi 95 për qind e personave të prekur nuk kanë qenë të vaksinuar me vaksinën MMR.
Përveç vaksinimit të rregullt sipas kalendarit kombëtar, IKShPK ka intensifikuar edhe vaksinimin e vonuar, i njohur si “catch-up”, për fëmijët që për arsye të ndryshme nuk janë vaksinuar në kohën e paraparë.
Si rezultat i kësaj fushate, gjatë këtij viti janë vaksinuar mbi 3,176 fëmijë të grupmoshës 2–5 vjeç.
IKShPK ka vlerësuar kontributin e prindërve, profesionistëve shëndetësorë dhe institucioneve në rritjen e shkallës së vaksinimit, duke theksuar se imunizimi është thelbësor për mbrojtjen e fëmijëve dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të fruthit.
“Çdo fëmijë i vaksinuar është një jetë më shumë e mbrojtur dhe një hap më afër ndërprerjes definitive të përhapjes së fruthit”, thuhet në njoftimin e institutit. KosovaPress/A.K/
