Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) thotë se numri i vdekjeve dhe rasteve pozitive me COVID-19 vazhdon të jetë i lartë.
IKShPK-ja me këtë rast ka bërë thirrje të respektohen masat antiCOVID për parandalimin dhe luftimin e pandemisë. Nga IKShPK-ja kanë kërkuar që të ndalen aktivitetet publike, grumbullimit të qytetarëve dhe tubimeve publike të të gjitha llojeve dhe natyrave pa përjashtim.
“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19 dhe vdekshmërisë së lartë, në veçanti, bëjmë thirrje për ndalimin e aktiviteteve publike, grumbullimit të qytetarëve dhe tubimeve publike të të gjitha llojeve dhe natyrave pa përjashtim. Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës sipas rekomandimeve të IKShPK”, thuhet në njoftim./UBTNews