Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës sot ka bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj Covid-19. IKSHPK u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bartin maskat në ambiente të mbyllura.
Po ashtu, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka këshilluar qytetarët që të vaksinohen, me qëllim parandalimit të rasteve të reja.
“Në vende të ndryshme të botës, po regjistrohen raste të shumta të COVID-19, sepse pandemia akoma nuk ka mbaruar. Fillim viti ka shënuar rritje të rasteve të reja me COVID, por fatmirësisht nuk kemi te regjistruar asnjë rast fatal. IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen. Me qëllim të përforcimit të imunitetit dhe parandalimit të rasteve të reja dhe formave të rënda të sëmundjes, qytetarët këshillohen që të vaksinohen. MSh dhe IKSHPK rekomandojnë qytetarët që rritja e rasteve me COVID-19 kërkon edhe masa parandaluese andaj duhet të të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive kundër sëmundjeve ngjitëse duke zbatuar vendimet e Qeverisë, duke bartur maska në të gjitha ambientet e mbyllura, distancë, higjienë, dezinfektues për duar në të gjitha institucionet publike e private dhe të vaksinohen kundër COVID-19”, është bërë e ditur nga IKSHPK.