Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) nga monitorimi i programit legjislativ për gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, ka gjetur se Qeveria realizoi vetëm 15% të agjendës legjislative të planifikuar. Pra, Qeveria miratoi vetëm 8 nga 52 projektligjet e planifikuara.
IKD gjen se Qeveria dështoi për të tretin vit radhazi që ta miratojë programin legjislativ në fillim të janarit, por e miratoi me një muaj vonesë.
Po ashtu, shqetësuese IKD e ka cilësuar mospërfshirjen në programin legjislativ të projektligjeve që rrjedhin nga aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, Plani Kombëtar për Zhvillim dhe Programi Qeverisës 2021-2025.
IKD thekson se janë rrëzuar disa ligje nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa ka dështuar miratimi i një numri të projektligjeve brenda afatit të planifikuar.
Më tej, IKD ka gjetur se në dy raste Qeveria e Kosovës është vonuar në zbatimin e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke shkelur aktgjykimet dhe afatet e përcaktuara në to.
Sa i përket konsultimeve publike, IKD gjen se në shtatë ligjet e miratuara të cilat iu nënshtrohen procesit të konsultimeve publike, vetëm në një rast ajo nuk respektoi këtë obligim dhe standard të transparencës dhe qeverisjes së mirë.