Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka prezantuar të mërkurën raportin e shoqërisë civile mbi zbatimin e kapitullit II (Masat Parandaluese) & kapitullit V (Rikuperimi i Pasurisë) të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit në Kosovë.
Aty u tha se përkundër faktit se një numër i konsiderueshëm i obligimeve të Konventës janë përmbushur përmes miratimit të ligjeve, rezultatet e synuara nuk janë arritur, ndërsa Kosova ende mbetet pa një strategji kundër korrupsionit.
Arrita Rezniqi, hulumtuese e lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se duke mos qenë një shtet palë në Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit (UNCAC), Kosova nuk merr pjesë në procesin e rregullt të rishikimit të zbatimit të kësaj konvente.
“Raporti i publikuar sot gjenë se përkundër faktit se një numër i konsiderueshëm i obligimeve të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit janë përmbushur përmes miratimit të ligjeve, rezultatet e synuara nuk janë arritur. Për më tepër, edhe në aspektin legjislativ, viteve të fundit ka një tendencë për regres”, tha Rezniqi.
“Megjithatë, përkundër se nuk është shtet palë, deri më tani, Kosova ka treguar angazhimin e saj të palëkundur për të zbatuar dispozitat këtë Konventë. Kosova, në përputhje me obligimet kontraktuale me Bashkimin Evropian përmes Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, ka ndjekur me proaktivitet politika kundër korrupsionit duke integruar dispozita përkatëse në legjislacionin dhe politikat e saj vendase. Janë miratuar ligje dhe rregullore të ndryshme për të forcuar kuadrin institucional, për të rritur transparencën dhe për të ndjekur penalisht veprat e korrupsionit. Përkushtimi i Kosovës për të zbatuar Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsion konsiderohet edhe me mos pretendimin për të shmangur zbatimin e dispozitave të kësaj konvente”, tha Rezniqi.
Betim Musliu, zëvendësdrejtori i IKD-së, tha se Kosova ende nuk ka një strategji për luftimin e korrupsionit, ndërsa draft-strategjia e tanishme bie ndesh ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
Musliu ka thënë se kjo draft-strategji nuk i ndan siç duhet disa kompetenca për mbikëqyrjen e Këshillit Prokurorial e as për media.