Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin “Pritje dhe rezultate utopike (Analizë e punës 100-ditore të Qeverisë së Kosovës)”.
Gëzim Shala nga IDK-ja tha se Qeveria Kurti ka në agjendën e saj legjislative miratimin e 129 ligjeve, ku prej tyre 31 ishin paraparë që të kalojnë deri në muajin qershor, por që vetëm një ka shkuar në lexim të parë.
“Nëse shohim agjendën legjislative thuhet se do të miratohen 129 ligje. Është thënë që deri në fund qershori do të miratohen 31 ligje, por vetëm një është në lexim të parë. Nga gjetjet rezulton që në programin qeverisëse janë vetëm 25 nisma ligjore. Qeveria e Kosovës është marrë këto ditë me vettingun dhe ka thënë se ka një vullnet për këtë proces. Sa i përket pasurisë së pajustifikueshme ka qenë një nga temat më mediale, një sistemi i tillë që është i rrezikshëm në këtë fazë”, deklaroi ai.
Po ashtu sipas Shalës Qeveria Kurti ka premtuar padi ndaj Serbisë për gjenocid, por që nuk ka bërë asnjë veprim konkret.
“Është përmendur padi për gjenocid, por nuk ka veprime konkrete deri më tani. U tha që do të themelohet instituti për krime lufte pastaj edhe themelimi i gjykatave të reja, IKD-ja e përkrah themelimin e Gjykatës Komerciale”, ka shtuar ai.
Gjithashtu ai ka thënë se përkundër se kjo Qeveri ka premtuar qeverisje me duar të pastra, njerëz të kësaj partie me aktakuza po vazhdojnë të mbajnë pozita të larta.
“U tha që do të ketë qeverisje me duar të pastra por e kemi rastin e Liburn Aliut që ka një aktakuzë për korrupsion e i njëjti as nuk është pezulluar dhe as nuk ka dhënë dorëheqje. Edhe Mimioza Kusari Lila ka një aktakuzë të rëndë por vazhdon të jetë e para e grupit parlamentar të LVV-së”, ka thënë Shala.
Kurse Yll Zekaj, tha se Qeveria Kurti akoma nuk ka marrë qëndrim lidhur me ERA-në si pjesë të agjendës evropiane.
“Përkundër që miratimi i ERA-së është proces i ndërlikuar Qeveria Kurti nuk ka dhënë qëndrim konkret për këtë agjendë evropiane. Kemi një ligj për sinjalizimin që parashihet se duhet të përmirësohen mekanizmat dhe këtë rekomandim nga Raporti për Kosovën qeveria e ka adresuar. Poashtu Qeveria ka adresuar përpilimin e planit për promovimin e të Drejtave të Njeriut”, është shprehur ai.
IDK ka dalë në përfundim se kjo Qeveri nuk ka qenë transparente dhe tetë ministra nuk kanë dalë asnjëherë në konferencë për medie.
“Ajo që kemi analizuar në kuadër të transparencës kjo Qeveri nuk ka qenë aq transparente. Kemi pasur një numër të vogël të konferencave për medie të kryeministrit e të ministrave, ku 8 ministra asnjëherë nuk kanë dal në konferencë për medie”, ka shtuar ai.
Kurse ai ka thënë se është evidentuar një ndërrim qasje e Kurtit ndaj dialogut prej asaj refuzuese në atë prioritare.