Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës sot ka bërë të ditur se si pasojë e reshjeve të shiut që janë duke vazhduar me intensitet të lartë sidomos në disa pjesë të vendit, disa lumenj kanë dalë prej shtretërve të tyre dhe janë duke shkaktuar përmbytje.
Sipas IHMK-së, zonat më të prekura janë ato në perëndim të vendit, sidomos disa vendbanime në komunat si: Pejë, Junik, Deçani, Klinë, Skenderaj, Mitrovicë, Zubin Potok, Leposaviq, etj.
“Situata e tillë e krijuar ka shkaktuar vështirësi dhe probleme, si në rrëshqitje të dheut, mbyllje të kanalizimeve dhe vështirësi të qarkullimit, por edhe përmbytje të tokave bujqësore”, ka njoftuar IHMK.
Situata e vështirësuar hidrometeorologjike pritet që të vazhdojë dhe gjatë orëve dhe ditëve në vijim.
Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, sot disa qytete të Kosovës janë përfshirë nga vërshimet. Vërshime janë shkaktuar në komunën e Pejës, atë Gjakovës, Skënderajt, Istogut, Mitrovicës, Podujevës.