UBT News

Identifikohen dhe sekuestrohen armë në dy raste të ndara në Malishevë dhe Rahovec

Në dy raste të ndara, Stacionet Policore në Malishevë dhe Rahovec, në bashkëpunim me qytetarët, kanë arritur të identifikojnë personat që kanë përdorur armë zjarri dhe të sekuestrojnë armët.

Në rastin e parë, më 7 gusht 2025, në fshatin Lladroviq të Komunës së Malishevës, Njësia Hetimore e Stacionit Policor Malishevë ka pranuar një informatë për gjuajtje me armë zjarri. Pas hetimeve, janë identifikuar dy të dyshuar dhe është sekuestruar arma e përdorur.

Gjatë kontrollit në vendbanimin e të dyshuarve janë gjetur dhe janë sekuestruar një pushkë gjysmë automatike, 7 fishekë, 8 gëzhoja dhe dy granata dore. Me urdhër të prokurorit, ndaj tyre është iniciuar rasti për “Mbajtje të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”. Të dy të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Ndërsa në rastin e dytë, më 11 gusht 2025, në Rahovec, pas një informate për të shtëna në rrugën “Selajdin Mullabazi”, Policia ka identifikuar dhe arrestuar një të dyshuar. Janë sekuestruar një pistoletë, një karikator, 2 fishekë dhe 6 gëzhoja të kalibrit 7.62 mm.

Rasti është iniciuar për “Mbajtje të paautorizuar të armëve” dhe “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, përderisa i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë vazhdon angazhimin për garantimin e sigurisë publike dhe luftimin e veprimtarive të paligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë e qytetarëve.

Exit mobile version