Gjatë viteve të fundit bashkëpunimi mes nivelit lokal dhe qendror është anuar jashtëzakonisht shumë. Asociacioni i Komunave të Kosovës edhe këtë vit ka kërkuar që bashkëpunimi mes nivelit lokal dhe atij qendror të fuqizohet.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi thotë se këtë vit do t’iu merren mbi 28 milionë euro padrejtësisht, për shkak që kontratat kolektive janë të nënshkruara nga niveli qendror, ndërsa zbatimi i tyre po bëhet në barrë të komunave duke iu marrë mjetet financiare.
Gjithashtu ai thotë se po të falnin komunat tatimin e pronës shumë projekte për investime kapitale në nivelin lokal, të parapara me buxhetin 2023, nuk do të zbatoheshin.
Ibrahimi thekson se komunat për këtë vit kanë shkurtime të jashtëzakonshme buxhetore në investimet e reja kapitale. Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon këtë vit që niveli qendror të parasheh amendamentin e ligjit për financa lokale, në të cilin është akomoduar granti i katërt për investime kapitale në komuna, në mënyrë që me dhjetëra miliona euro të shkojnë drejtpërdrejt në nivelin lokal.
“Kemi shkurtime të jashtëzakonshme buxhetore për këtë vit në investime kapitale, por edhe në investime të reja kapitale. Gjithashtu, kërkojmë këtë vit që niveli qendror ta parasheh amendamentin e ligjit për financa lokale, kur në këtë projektligj është i akomoduar granti i katërt për investime kapitale nëpër komuna, në mënyrë që me dhjetëra miliona euro të shkojnë drejtpërdrejt në nivelin lokal, duke marrë parasysh kriterin e numrit të popullatës dhe sipërfaqen e komunave përkatëse, e jo që këto dhjetëra miliona euro, njëherë të shpërndahen nëpër ministri dhe pastaj të shpërndahen nëpër komuna, sepse këtu kryetarët po mendohen se po ka dallime partiake dhe etnike në shpërndarjen e këtyre mjeteve… Komunat po dëmtohen jashtëzakonisht shumë, edhe pse nuk janë nënshkruese të kontratave kolektive po iu merren mjetet financiare. Këtë vit komunave do t’i merren mbi 28 milionë euro padrejtësisht, sepse këto kontrata janë të nënshkruara nga niveli qendror, kurse zbatimi i tyre po bëhet në kurriz të komunave, duke ua marrë mjetet financiare”, thotë Ibrahimi.
Ibrahimi thotë se niveli qendror ka ngritur faturat e tatimit në pronë, ndërsa faljen e kërkonte që ta bënin komunat nga buxhetet e tyre vetanake, por kjo kërkesë nuk është përkrahur nga shumica e komunave pasi shumica e projekteve për investime kapitale në nivelin lokal nuk do të mund të zbatoheshin.
“Vitin e kaluar, Ministria e Financave, kokë më vete, në mënyrë arbitrare e amandamentoi ligjin për tatimin në pronë, pa asnjë konsultë me komunat, dhe iu kërkoi komunave të bënin faljen e tatimit në pronë deri në vlerën 100 euro. Niveli qendror gjithashtu ka ngritur faturat e tatimit në pronë vitin e kaluar, kurse faljen kërkonte ta bënin komunat nga buxhetet e tyre vetanake, dhe shumica absolute e komunave nuk e kanë përkrahur një kërkesë të nivelit qendror. Mbi 23 komuna të Republikës së Kosovës nuk e kanë shqyrtuar këtë kërkesë nga niveli qendror dhe disa kanë marrë vendime të mos përkrahet një kërkesë e tillë në Kuvendet Komunale… Komunat kanë marrë vendim që normat tatimore të zvogëlohen prej 0.15 për qind e vlerës së pronës në 0.10 për qind, pra nëse një qytetar i Republikës së Kosovës ka paguar 150 euro vitin e kaluar për tatim në pronë, këtë vit në shumicën e komunave do të paguajë 100 euro… Po ta falnin, shumë projekte për investime kapitale në nivelin lokal, të cilat kanë qenë të parapara me buxhetin e vitit 2023 nuk do të zbatoheshin”, shprehet ai.
Po ashtu ai thotë se niveli qendror duhet të marrë parasysh çdo veprim i cili prek buxhetet komunale dhe të konsultohet e koordinohet me nivelin lokal, dhe jo të marrë vendime arbitrare sikurse ka bërë në të kaluarën.
“Komunat vitin e kaluar kanë arritur të realizojnë të hyrat vetanake, në këtë rast nga tatimi në pronë mbi 100 për qind, qytetarët kanë treguar gatishmëri që të bëjnë pagesën e tatimit në pronë, sepse të gjitha mjetet financiare, shumica absolute e tyre nga të hyrat vetanake përkthehen në investime kapitale… Niveli qendror duhet marrë parasysh çdo veprim i cili prek buxhetet komunale ta bëjë në konsultim dhe koordinim me nivelin lokal, jo duke marrë vendime arbitrare sikurse në të kaluarën. Besojmë se këtë vit, niveli qendror nuk do të ndërhyjë në kompetencat e nivelit lokal, siç ka vepruar në të kaluarën kur ka tentuar të marrë mbi 100 milionë euro komunave nga të hyrat vetanake, duke menduar që komunat nuk mund t’i bartin ato mjete”, thotë Ibrahimi.