UBT News

Ibrahimi: Dëmet pas vërshimeve janë dhjetëra miliona euro, të kompensohen sa më shpejt

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë se ende nuk ka filluar kompensimi i dëmeve pas vërshimeve dhe dëmeve natyrore, të cilat, siç tha ai, kapin vlerën e dhjetëra miliona eurosh.

Ai ka kërkuar që të ndryshohet legjislacioni për rastet emergjente dhe të kompensohen këto dëme.

“Në bazë të informatave që Asociacioni i Komunave të Kosovës, në bazë të komunikimit që kemi me kryetarët e komunave edhe me stafin komunal, kompensimi i dëmeve ende nuk ka filluar. Janë procedura të cilat janë të parapara me ligjet në fuqi”, tha Ibrahimi.

Ai tha se për shkak të burokracisë ende nuk është bërë kompensimi i dëmeve.

“Së pari komunat duhet ta bëjnë vlerësimin preliminar, pastaj vlerësimin final. Ai vlerësim final duhet të miratohet nga Kuvendi Komunal dhe pastaj ajo listë të dërgohet në Agjensionin për Menaxhimin e Emergjencave dhe pastaj në institucionet shtetërore të nivelit qendror në mënyrë që të fillojë kompensimi i dëmeve. Për shkak të kësaj burokracie mund të themi që ende nuk është bërë kompensimi i dëmeve në Komuna”, tha Ibrahimi.

Dëmet që kryetarët e komunave dhe AKK posedon, ai tha se janë dhjetëra miliona euro.

“Në bazë të informatave preliminare, që kryetarët e komunave posedojnë dhe neve si Asociacion, dëmet janë me dhjetëra miliona euro, duke marrë parasysh që niveli qendror e ka një fond për emergjencat e tilla neve po besojmë që ai fond duhet të shfrytëzohet në mënyrë që të kompensohen dëmet ndaj qytetarëve të prekur”, tha Ibrahimi.

Ai shpreson që legjislacioni do të ndryshojë në mënyrë që të jetë më e lehtë për t’i ndihmuar qytetarëve.

“Ne po shpresojmë që legjislacioni në fuqi, sa i përket emergjencave, do të ndryshojë. Domethënë nuk po kemi dëme materiale vetëm gjatë reshjeve, po kemi dëme materiale në amvisëri, në infrastrukturë, në bujqësi, edhe gjatë sezonës së verës kur po kemi zjarre”, tha Ibrahimi.

Vërshimet e fundit ishin më të theksuara në Skenderaj dhe Mitrovicë.

Exit mobile version