UBT News

IBM dhe NASA publikojnë modelin e ri të AI për Hënën

IBM dhe NASA kanë publikuar një model të ri të Inteligjencës Artificiale, të trajnuar me të dhëna nga dekada të tëra vëzhgimesh të Hënës, i cili do të jetë i qasshëm publikisht për studiuesit dhe zhvilluesit.

“NASA-IBM Lunar Foundation Model” është publikuar në platformën Hugging Face, së bashku me një bazë të unifikuar të të dhënave hënore, të përgatitur posaçërisht për përdorim në teknologjitë e machine learning.

Për dekada, misionet hapësinore kanë mbledhur sasi të mëdha të dhënash për Hënën, por ato janë ruajtur në formate dhe rezolucione të ndryshme, duke e vështirësuar analizimin e tyre në mënyrë të integruar.

Për të adresuar këtë problem, ekipet e IBM dhe NASA kanë kombinuar më shumë se 30 shtresa të dhënash nga nëntë instrumente të përdorura në katër misione të ndryshme. Në mesin e tyre janë Lunar Reconnaissance Orbiter dhe GRAIL të NASA-s, si dhe misioni japonez SELENE/Kaguya.

Një nga përdorimet më interesante të modelit është identifikimi i zonave ku mund të ketë depozita akulli në Hënë. Krateret që ndodhen vazhdimisht në hije konsiderohen ndër zonat më premtuese për praninë e akullit nën sipërfaqe, por analizimi i tyre është veçanërisht i vështirë.

Sipas IBM, modeli i ri ka ulur me 23 për qind gabimin në identifikimin e zonave me potencial të lartë për akull, krahasuar me modelin e përgjithshëm të vizionit kompjuterik SwinV2-B.

Modeli i ri pritet t’u ofrojë studiuesve dhe zhvilluesve një mjet të hapur për analizimin e të dhënave hënore dhe për zhvillimin e aplikimeve të reja në eksplorimin e Hënës./A.K/

Exit mobile version