UBT News

Ibishi: Kurti veproi mirë në Bruksel por 48 orë për targat janë afat i shkurt për të gjetur zgjidhje

Njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi është skeptik nëse do të prodhojë zgjidhje shtyrja për 48 orë për implementimin e fazës së gjobitjes së qytetarëve që kapen brenda territorit të Kosovës me targa ilegale të lëshuara nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës.

Ibishi shprehet se prolongimet e këtij vendimi nuk po ofrojnë rezultate, madje ai paralajmëroi edhe tensione në veri të Kosovës nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje për këtë çështje.

Shtyrjen prej 48 orëshe për zbatimin e fazës për gjobitje, njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishin e konsideron të shkurtë dhe insiston se shtyrjet që po bëhen për këtë vendim duhet të ofrojnë zgjidhje e jo të bëhen sa për të fituar një shtyrje të re.

“Ndoshta kjo kohë shumë është e shkurtë, është dashur pak më shumë të jepet një mundësi më reale dhe të vije tek një zgjidhje kompromisi apo zgjidhje kalimtare deri në atë, mirëpo do të përqendrohemi në kohë, nuk mund të themi se në një kohë të pacaktuar po e bëjmë një prolongim edhe pa një veprim konkret se si kjo çështje të zgjedhjet sepse po vijmë në situatën e njëjtë edhe pas 1 muaj, 10 muajve apo 1 viti që pason. Kjo nuk po sjell rezultat më mirë të thuhet se në kuadër të kësaj duhet të hartohet program i zgjedhjes së kësaj deri në këtë datë dhe kjo është reale për momentin”, theksoi njohësi i sigurisë.

Ibishi shtoi se do të ketë tensione në pjesën veriore të Kosovës në rast se nuk arrihet ndonjë zgjidhje brenda dy ditësh për aq sa Qeveria e Kosovë e ka shtyrë zbatimin e vendimit për targat.

“Mendoj që po, do të ketë tensione, format veç dihet si i bëjnë….vazhdohet ai sistemi i vjetër i bllokimit të rrugëve me sistemin e protestave me injorimin në kuptim të zbatimit të autorizimeve ndaj zyrtarëve policor apo padëgjueshmëri qytetare”, u shpreh Ibishi.

Sipas tij, Bashkimi Evropian po sillet në mënyrë shumë tendencioze karshi Kosovës, pasiqë oferta që iu dha dje Kosovës si zgjidhje për çështjen e targave ilegale nuk është fare zgjidhje dhe se një propozim i tillë vetëm ngrit tensione.

“Fare nuk ka të bëjë me zgjedhje, mirëpo mendoj që kjo edhe më tej ngrit tensione në kuptim sikur po legalizion diçka që është ilegale, po legalizon përdorimin e tabelave flet për një mundësi që të mos prodhohet më ajo edhe pamundësi të mbikëqyrjes si do ta mbikëqyrë BE, çfarë instrumente ka ta mbikëqyrë prodhimin e tabelave ilegale në Serbi, ndërsa palës kosovare pa një strategji, pa një program i thuhet të pezulloj zbatimin e kësaj mase. Kurfarë zgjidhje kjo nuk është“, u shpreh ai.

Ai shtoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë shumë mirë që nuk është pajtuar me ofertën e dhënë nga BE. Sipas tij, tensionet që po i prodhon Serbia në veri të Kosovës po përkrahen nga lidershipi evropian.

“Jashtëzakonisht mirë ka bërë edhe mendoj që duhet të përqendrohemi normal, SHBA-të çdo herë po kërkojnë qe të ketë paqe dhe këto kanë qenë edhe zërat e Stoltenberg por edhe të Mbretërisë së Bashkuar deklarata se duhet të ketë paqe, mirëpo paqe në kuptim jo në favore për Serbinë … Këto janë tensione që po i krijon Serbia dhe realisht po përkrahen nga lidershipi evropian”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Në fazën e dytë të këtij vendimit të Qeverisë së Kosovës ishte paraparë shqiptimi i gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që qarkullojnë me targa të tilla.

Kërkesën për shtyrje 48-orëshe e kanë bërë Shtetet e Bashkuara.

Exit mobile version