UBT News

IAEA: Kërcënimi i një aksidenti bërthamor në Ukrainë është ende shumë i lartë

Kërcënimi i një aksidenti bërthamor në Ukrainë është ende shumë i lartë, tha të hënën për Euronews drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).

Rafael Mariano Grossi, i cili u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelesnsky javën e kaluar, e përshkroi situatën rreth termocentralit bërthamor Zaporizhzhia si shumë të pasigurt dhe tha se arritja e një marrëveshjeje për krijimin e një zone të sigurt është e ndërlikuar, pasi ushtarakët janë të përfshirë në bisedime.

“Ne patëm situata ku ky objekt u granatua, u sulmua drejtpërdrejt. Ka ende shumë aktivitet ushtarak përreth. Kështu që nuk mund të përjashtohet që kjo të ndodhë përsëri” tha Grossi për Euronews, përcjell UBT News.

“Pra, përpara se të ndodhë, ne mund të marrim një masë praktike të përkohshme, e cila do të ishte përjashtimi i këtij objekti të madh nga një sulm veprimi ushtarak” shtoi ai.

Grossi foli nga Brukseli ku informoi ministrat e punëve të jashtme të Bashkimit Evropian për situatën në terren. Ai do të japë gjithashtu një përditësim në Parlamentin Evropian sot.

IAEA ka një ekip në terren që monitoron centralin bërthamor, i cili nuk prodhon energji për momentin dhe është nën kontrollin e forcave ruse. Misione të ngjashme të IAEA-s janë stacionuar edhe në termocentralet e tjera bërthamore të Ukrainës në Rivne, Khmelnytskyi dhe Chornobyl.

Grossi do të vizitojë Moskën në fillim ose në mes të shkurtit për një takim ballë për ballë me presidentin rus Vladimir Putin./UBTNews/

Exit mobile version