UBT News

AI parashikon sëmundje vdekjeprurëse 10 vite para se të shfaqen

Shkencëtarët thonë se kanë krijuar një mjet të ri të inteligjencës artificiale (AI) që mund të parashikojë rrezikun e njerëzve për të zhvilluar më shumë se 1,000 sëmundje deri në 10 vite përpara se të shfaqen.

Sipas studimit të botuar të mërkurën në revistën “Nature”, modeli mund të parashikojë nëse një pacient do të zhvillojë sëmundje si kanceri, infarkte, më shumë se 1 dekadë para se të diagnostikohen.

Me përparimin e AI në fushën mjekësore, studiuesit thanë se ky mjet është një nga shembujt më të mëdhenj deri tani se si AI mund të përdoret për të ndihmuar pacientët.

Modeli u trajnua duke përdorur të dhëna të anonimizuara nga 400,000 njerëz në Mbretërinë e Bashkuar dhe më pas u testua me të dhëna nga 1.9 milionë njerëz në Danimarkë.

Autorët e studimit thanë se mjeti i AI nuk është gati të përdoret në zyrat e mjekëve, por se tashmë mund të ndihmojë studiuesit të kuptojnë si zhvillohen sëmundjet me kalimin e kohës dhe si mënyrat e jetesës dhe historitë mjekësore të njerëzve ndikojnë në rreziqet shëndetësore.

Ekspertë të pavarur vunë në dukje se modeli u trajnua e testua mbi baza të dhënash të Mbretërisë së Bashkuar dhe Danimarkës, që janë të njëanshme për sa i përket moshës, etnisë dhe rezultateve shëndetësore.

Do të nevojitej shumë punë për t’u siguruar që modeli mund të parashikojë saktë rrezikun e sëmundjeve për grupe të ndryshme njerëzish.

Studiuesit thanë se mjeti ndihmon mjekët të identifikojnë pacientët me rrezik të lartë para se ata të sëmuren. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version