UBT News

​I vendosi GPS dhe hapi llogari në emër të ish të dashurës, kërkohet paraburgim për të dyshuarin

Prokuroria Themelore në Ferizaj kërkoi nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh për K.S nga Peja – i dyshuar për vendosjen e GPS në veturën e ish të dashurës.

“Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se gjatë vitit 2025, në komunën e Shtimes, i pandehuri në vazhdimësi është përfshirë në sjellje të vëmendjes së padëshirueshme, duke e vënë nën vëzhgim me qëllim të ngacmimit të dëmtuarën V.Z., me të cilën ka qenë në lidhje dashurie”, thuhet në njoftim.

K.S dyshohet se në veturën personale të viktimës kishte vendosur GPS si dhe kishte hapur llogari në emër të saj në rrjetin social “Instagram” – duke postuar fotografi me mbishkrime denigruese.

“Dhe duke paraqitur se e njëjta ofron shërbime seksuale me pagesë, duke ia paraqitur edhe numrin e telefonit, dhe adresën e banimit, e që si rrjedhojë e këtyre veprimeve të dëmtuarën e ka vë nën shqetësim të madh emocional, me të cilën ka kryer veprën penale ‘Ngacmimi’ nga neni 182 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhet tutje në njoftim e prokurorisë.

I dyshuari është nën masën e ndalimit 48 orësh prej të shtunës më 8 mars.

Exit mobile version