Gjykata Supreme ia ka vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm Shefki Spahiut për vrasjen e 32-vjeçarit nga Suhareka, Jetmir Aliajt.
“Kolegji i Gjykatës Supreme, në çështjen penale të akuzuarit Sh.S. për shkak të veprës penale vrasje e rëndë nga neni 179 par.1 nënpar.1.4 dhe nënpar.1.6 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), dhe veprës penale manipulim me provat nga neni 397 par.1 të KPRK, duke vendosur përkitazi me ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit e paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prizren, dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, në seancën e kolegjit të mbajtur më 20 maj 2021, me shumicë të votave, aprovoi pjesërisht ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Sh.S., vetëm sa i përket cilësimit juridik të veprës penale të vrasjes së rëndë nga neni 179 par.1 nënpar.1.4 dhe nënpar.1.6 të KPRK, për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor, ashtu që në veprimet e të akuzuarit kjo gjykatë gjen se përmbushen elementet e veprës penale të vrasjes së rëndë nga neni179 par.1 nënpar.1.4 të KPRK. Në pjesën tjetër aktgjykimi mbetet i pandryshuar”, thuhet në njoftim.
Supremja ka njoftuar se ë seancën publike të kolegjit, të mbajtur me 20 maj, kanë marrë pjesë i akuzuari Shefki Spahiu, mbrojtësi i tij, avokati E.K., përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokat A.R., të dëmtuarit H.A., e A.A. Prokurori i Shtetit nuk mori pjesë në këtë seancë, por me parashtresë, propozoi që ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit të refuzohet si e pabazuar, ndërsa aktgjykimet të vërtetohen.