UBT News

I kërkuar nga autoritetet sllovene, paraburgim për të dyshuarin për trafikim droge e ushtrim dhune

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit – në raport me procedurën e ekstradimit,  kundër të pandehurit Sh.H., i kërkuar nga autoritetet e Sllovenisë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “prodhimi dhe trafikimi i paligjshëm i drogës së ndaluar”, “shantazhi në tentativë”, “ushtrimi i dhunës”.

Të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej dyzet ditë.

“Gjyqtari i procedurës paraprake në seancën dëgjimore, paraprakisht ka konstatuar konform Neni 6 par. 2 të Ligjit mbi Bashkëpunimin Juridik Ndërkombëtar, se i kërkuari Sh.H., nuk e gëzon statusin e azilit politik në Republikën e Kosovës dhe nuk është shtetas i huaj që gëzon imunitet nga ndjekja penale, dhe pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar, se i pandehuri ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet…”.

Sipas vlerësimit të Gjykatës, qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, sepse ekziston rreziku i ikjes apo shmangies nga përgjegjësia penale, pasi që i pandehuri Sh.H., për një kohë ka qenë i paarritshëm për organet e ndjekjes së shtetit kërkues, ashtu që i njëjti është kërkuar prej vitit 2017 nga Interpoli sipas kërkesës së republikës së Sllovenisë, si i dyshuar për vepra të rënda penale për të cilat parashihet edhe dënueshmëria e lartë.

Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm për sigurimin e të pandehurit në procedurën penale, dhe në procedurën e ekstradimit, konform Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar. 

Exit mobile version