Për të nderuar jetën dhe veprën e tij, në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor u mbajtën homazhe, ku morën pjesë edhe delegacioni nga Kosova në krye me presidenten, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryekuvendarin, Glauk Konjufca.
Ceremonia e përcjelljes vijoi me himnin kombëtar dhe fjalën e kryeministrit Edi Rama që siç u shpreh ai, ia kishte kërkuar bashkëshortja e Kadaresë, Helena.
Kryeministri Rama tha se Ismail Kadare gjuhën shqipe e ngriti në majën më të paarritur të saj, derisa letërsinë shqipe në panteonin e mbarë botës.
“Ky nder kaq i posaçëm, përveç se një barrë e rëndë përgjegjësie mu pranë art mortit të njeriut që e ngjiti gjuhën shqipe në majën më të paarritur nga asnjë lëvrues i saj, ndërsa letërsinë shqipe në panteonin e mbarë botës së letrave u bë edhe një siklet, po aq i rrallë sa dalja në një provim përpara fytyrës tallëse të Ismailit me tubimet, me nderimet, me fjalimet”, ka thënë ai.
Kryeministri, Rama ndër të tjera u shpreh se është i bindur se Kadare për aq sa ka jetuar i ka thënë të gjitha nga ato çfarë kishte për të thënë. Kurse vendi i tij nuk do ta zhgënjejë kurrë atë.
I pari i ekzekutivit të Shqipërisë, ndër të tjera deklaroi se shkrimtari Ismail Kadare meriton të prehet në një banesë që te jetë vetëm e tij, e jo bashkë me dëshmorët.
“Ismail Kadare e meriton të prehet në një banesë të fundit që të jetë vetëm e tij, jo bashkë me dëshmorët sepse ai as s’ishte dëshmor dhe as nuk ishte gjëkundi në asnjë qelizë të tijën dëshirën apo gatishmërinë për të rënë dëshmor. Jo, bashkë me vëllezërit Frashëri të cilët ishin fare ndër të paktët që ai i donte dhe i respektonte sinqerisht sepse as nuk ia kanë borgj ti bëjnë vend në varret e tyre dhe as nuk na e kishte Ismailim borgj që t’ia ndalojmë vetminë e tij aq shumë të dashur vetëm e vetëm sepse nuk na ndalonte dot”, shtoi kryeministri Rama.
Derisa foli për veprën e tij kryeministri Rama tha se Kadare nuk e mori çmimin Nobel, por mbeti në arkivat e procesverbaleve të Komitetit të Nobelit.
“Nuk e mori çmimin Nobel, por mbeti në arkivat e procesverbaleve të Komitetit të Nobelit i vetmi kandidat për të cilin ka një dosje letrash anonime nga bashkatdhetarët e tij. Ai erdhi shkroi dhe ne i kemi vetëm një detyrim t’ia respektojmë ikjen duke i dhënë në kohën dhe vendin e duhur një banesë të fundit ku mos të ndjehet i kërcënuar, as nga dashuria e pa kërkuar që e kishte tmerr, as nga fqinjësia asnjëherë e dëshiruar që e kishte lemeri dhe as jo jo nga tubimet, nderimet dhe fjalimet që i kishte llahtari”, tha ndër të tjera kryeministri Rama.
Ismail Kadare vdiq të hënën në mëngjes, pas një sulmi në zemër.