I dyshuari i dytë për sulmet me thikë në Kanada ka vdekur pasi është kapur nga policia, thanë zyrtarët.
Nga sulmet me thikë të së dielës vdiqën dhjetë persona dhe u plagosën 18 të tjerë.
Policia tha se Myles Sanderson, 32-vjeçar, u kap nga autoritetet në një autostradë në provincën Saskatçuan mbrëmjen e së mërkurës.
Sipas pamjeve të incizuara, makina me të cilin ai po ikte, doli nga rruga dhe më pas u rrethua nga makinat policore në afërsi të qytetit Rostern.
Policia tha se ai u arrestua në orën 15:30 sipas kohës lokale, por pak kohë pas arrestimit, Sanderson kishte një shqetësim mjekësor dhe u dërgua në spital, ku dhe vdiq. Zyrtarja policore Rhonda Blackmore nuk dha detaje të tjera, duke thënë se shkaku i vdekjes do të përcaktohet pas autopsisë.
Një zyrtar i paidentifikuar më herët ka thënë për mediat lokale se Sanderson vdiq nga plagë që i kishte shkaktuar vetes.
Para se të arrestohej nga policia, mediat në Kanada raportuan se Sanderson kishte hyrë në shtëpinë e një gruaje dhe kishte marrë çelësat e veturës së saj. Më pas, gruaja kishte kontaktuar autoritetet.
Myles Sanderson ishte përballur me akuza për vrasje dhe tentim-vrasje. Edhe vëllai i tij, Damien Sanderson akuzohej se kishte pasur rol në sulmet e së dielës në rajonin Saskatçusen.
Të hënën, policia gjeti trupin e pajetë të Damien Sanderson, dhe tani po kryhen hetime nëse Myles e ka vrarë të vëllanë gjatë kohës kur policia po i ndiqte të dy.
Më herët gjatë së mërkurës, prindërit e vëllezërve Sanderson, i bën thirrje Myles që të dorëzohej, teksa kërkuan falje për veprimet e fëmijëve të tyre.
Policia në Kanada ende nuk ka treguar motivin e sulmeve me thikë. Shumica e viktimave ishin nga James Smith Kri, një komunitet indigjen./REL