Organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” ka prezantuar sot hulumtimin “Reforma ligjore e planifikimit hapësinor të Kosovës në qorrsokak?!”, ku u tha se përmirësimi i kornizës ligjore është i domosdoshëm, qoftë përmes hartimit të ligjit të ri apo rishikimit të ligjit aktual dhe akteve nënligjore, pasi që Ligji për Planifikim Hapësinor (LPH) po vlerësohet të jetë ambicioz në raport me përmbushjen e kërkesave ligjore nga ana e komunave dhe kapaciteteve të tyre.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se problemi kryesor del të jetë mungesa e një mekanizmi që vlerëson të gjitha anët e planifikimit hapësinor. Derisa u shpreh se plani zhvillimor nuk ka qenë i mirë. Ai theksoi edhe se problem është shpronësimi e për çka shtoi se ata nuk kanë prona komunale e që ato i morën të fortit e komandantët.
Ai tha se Instituti i Planifikimit Hapësinor duhet të ngritet aty ku duhet të jetë, në mënyrë që të jetë mekanizëm me integritet të cilit nuk mund t’i ndërhyjë politika.
“Kush e ka bërë reformën tek ne, a kanë qenë të përfshira institucionet tona në këtë reformë? Jo. Edhe departamenti edhe instituti kanë qenë vetëm vëzhgues në këtë reformë. Kjo lë të nënkuptohet që është e dyshimtë, pasi ka sjellë tek një vendim shumë i madh pa një hulumtim kredibil. Ne kemi gabuar rëndë atëherë. Sot, nuk duhet ta bëjmë atë gabim. Duhet ta bëjmë një hulumtim serioz[…]Kam qenë kundër këtij ligji(Ligji për Planifikim Hapësinor (LPH). Presionet që kanë qenë për këtë ligj ka qenë i papërballueshëm, sidomos për neve të Vetëvendosjes[…]Problem kryesor e kemi shpronësimin. Ne nuk kemi prona komunale, i kanë marrë të fortit, komandantët, me rëndësi do të fortë të cilët i kanë marrë. Problemi është qysh me e zgjidh këtë. Problem kryesor e kemi shpronësimin në rrugën Mat”, tha Aliu.
Deputetja Albena Reshitaj tha se në çështjen e planifikimit hapësinor ka munguar përkushtimi politik.
“Konsideroj që pa një presion shoqëror është i vështirë një përmirësim institucional në vendin tonë. Kemi ngecje. Nuk po tregojmë kulturë institucionale. Kemi disa gjëra që kemi nisur në të kaluarën, dhe ka shumë ngecje. Nuk duhet gjithë fokusi dhe energjia të fokusohet në të kaluarën, por për të ardhmen sepse nëse ne ngecim një ditë në çështjen e planifikimit hapësinor, dëmi mund të jetë ndër vite”, tha ajo.
Të gjeturat e hulumtimit i prezantoi Lumnije Gashi e cila tha se ka kontradikta ligjore brenda Ligjit për Planifikim Hapësinor, nuk dihet ku fillon PZHK dhe HZK, ka kontradikta ndërmjet LPH me aktet nënligjore, dualizma. Derisa bëri të ditura edhe mangësi të tjera që ka ligji.
“Korniza ligjore ka probleme dhe duhet të shqyrtohet. Ligji për Planifikim Hapësinor ka po ashtu përmbajtje dhe koncept të zotimit të gabuar, burokraci. Mungesa e një instrumentit për trajtim të zonës urbane është një problem tjetër. Mbledhja e të dhënave është pa relevancë hapësinore, në praktikë vet 20-30 përqind arrihen të mblidhen”, tha ajo.