Në Samitin e Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive në Astana, presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi se do të godasë kryeqytetin ukrainas Kiev me raketa Oreshnik teksa vlerësoi edhe presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump duke e cilësuar si “mjaft të zgjuar dhe me përvojë”.
“Rusia i di të gjitha karakteristikat e armëve të armikut dhe të gjitha informacionet për dërgesat e tyre në Ukrainë. Ne e dimë, sigurisht, sa sisteme janë në arsenalin e kundërshtarit të mundshëm, sa janë në magazina, ku ndodhen saktësisht, sa armë janë dorëzuar në Ukrainë dhe sa janë planifikuar për dërgim,” vuri në dukje udhëheqësi rus.
“Oreshniku” nuk ka asnjë të ngjashëm në botë dhe as nuk do të shfaqet së shpejti, shtoi Putin teksa deklaroi se përdorimi masiv i tyre është i krahasueshëm me një sulm bërthamor.
Shtabi i Përgjithshëm dhe Ministria e Mbrojtjes janë aktualisht në përcaktimin e objektivave për “Oreshnik” në territorin e Ukrainës. Qendrat e komandës në Kiev mund të jenë midis objektivave, raportoi media ruse Novosti. Putin theksoi gjithashtu se Rusia prodhon 10 herë më shumë raketa se të gjitha vendet e NATO-s së bashku, dhe se do të rrisë prodhimin me një të katërtën.
Presidenti rus sugjeroi se vendimi i SHBA-së për të lejuar Ukrainën të godasë Rusinë me raketa me rreze më të gjatë mund të synojë ta bëjë më të vështirë për administratën e ardhshme amerikane të negociojë një marrëveshje paqeje. Por i shprehu besim tek aftësitë e Trump, i cili ka premtuar se do ti japë fund luftës në Ukrainë brenda një dite.