UBT News

I dërguari i Trumpit, Steve Witkoff do të takohet me Putinin në Rusi

Një ndihmës i lartë i presidentit amerikan, Donald Trump, ka mbërritur në Rusi në mes të një stuhie diplomatike rreth luftës në Ukrainë, përfshirë bisedimet SHBA-Ukrainë në Uashington dhe një takim të kryesuar nga Britania dhe Gjermania në Bruksel.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i tha mediave shtetërore ruse se i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, kishte mbërritur më 11 prill. Ai u ndal në Shën Petersburg rrugës për në bisedimet e nivelit të lartë me Teheranin mbi programin bërthamor iranian. Bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit janë planifikuar që të mbahen në Oman më 12 prill.

Peskov, sipas mediave shtetërore, tha se i dërguari i Trumpit do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, për të diskutuar për aspektet e bisedimeve për paqe në Ukrainë. Ai nuk tha se nëse në këtë takim do të diskutohet edhe për Iranin apo për ndonjë temë tjetër.

Agjencia shtetërore ruse TASS raportoi se Witkoff me të mbërritur në Rusi u takua me Kirill Dmitriev, një figurë me lidhje të forta me Kremlinin dhe drejtues i Fondit Rus për Investime Direkte. Javën e kaluar, të dy zyrtarët u takuan në Uashington, ku diskutuan forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Vizita e Witkoffit zhvillohet një ditë pasi zyrtarë amerikanë dhe rusë u takuan në Stamboll për të diskutuar për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike, gjë që mund të çojë në rikthimin e stafit të ambasadave, të cilët u dëbuan që kur nisi pushimi rus i Ukrainës më 2022.

Kjo është vizita e tretë e Witkoffit në Rusi që kur Trump mori detyrën në janar, duke premtuar përmirësim të marrëdhënieve me Moskën.

Muajin e kaluar, takimi i tij me Putinin i hapi rrugë një telefonate mes dy presidentëve. Ai gjithashtu vizitoi Rusinë në shkurt dhe ishte pjesë e bisedimeve SHBA-Rusi në Riad./REL/

Exit mobile version