UBT News

I dërguari i SHBA-së, Witkoff në Moskë për të diskutuar marrëveshjen e paqes në Ukrainë

I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, ka mbërritur sot në Moskë për bisedime të mëtejshme mbi një marrëveshje paqeje në Ukrainë.

Si SHBA-ja ashtu edhe Rusia kishin njoftuar më parë bisedime të mëtejshme pa dhënë një datë specifike.

Sipas Ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, disa pika të një marrëveshjeje të mundshme për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë ende duhet të “përmirësohen”, megjithëse ai i tha transmetuesit amerikan CBS se beson që procesi po ecën në drejtimin e duhur.

Witkoff është takuar disa herë me presidentin rus Vladimir Putin dhe gjithmonë ka folur pozitivisht për udhëheqësin e Kremlinit.

Takimi i tyre i fundit në Shën Peterburg zgjati më shumë se katër orë.

Ai pritet të takohet sërish sot me Putinin, ndërsa bisedimet shihen si një hapje e rrugës për një takim të mundshëm midis udhëheqësit të Kremlinit dhe presidentit të SHBA-së Donald Trump.

Pasi administrata Trump mori detyrën në janar, Uashingtoni e ndryshoi në mënyrë drastike politikën e vendit ndaj Ukrainës, duke kërcënuar se do të ndalonte mbështetjen për Kievin – për të ushtruar presion mbi Ukrainën që të rënë dakord për një marrëveshje paqeje.

Trump tha gjithashtu se anëtarësimi i Ukrainës në NATO nuk ishte temë e diskutimit, ndërsa ka sinjalizuar se Kievi mund të duhet të bëjë lëshime territoriale për Rusinë për të ndaluar luftën./ATSH/

Exit mobile version