UBT News

I ashtuquajturi Shteti Islamik merr përgjegjësinë për sulmet vetëvrasëse në Ugandë

I ashtuquajturi Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për dy sulme vetëvrasëse që vranë tre persona dhe plagosën 36 në kryeqytetin e Ugandës, gjatë ditës së djeshme, përcjell UBT News.

Agjencia e lajmeve “Amaq” e lidhur me ISIS-in raportoi incidentin në kanalin e saj Telegram të martën, duke thënë se tre luftëtarë u nisën me çanta të mbushura me eksploziv. Dy u drejtuan drejt Stacionit Qendror të Policisë në Kampala dhe i treti drejt ndërtesës së parlamentit, aty ku edhe shpërthyen.

Policia tha se sulmet mbanin shenjat dalluese të Forcave Demokratike Aleate (ADF), një grup rebel i lidhur me ISIS.

Në një deklaratë të martën, presidenti i Ugandës, Yoweri Museveni, tha se 36 persona ishin të plagosur. Ai tha se tre sulmues vdiqën duke shpërthyer bombat e tyre dhe shtatë u vranë duke i rezistuar arrestimit. Gjithsej 81 të dyshuar janë arrestuar, sipas tij.

Dy shpërthimet tronditën qendrën e qytetit. Policia tha se pamjet e vëzhgimit treguan një mashkull që mbante një çantë shpine duke shpërthyer veten në orën 10:03 të mëngjesit me orën lokale pranë Stacionit të Policisë Qendrore.

Dy persona u konfirmuan të vdekur në vendin e shpërthimit të parë, ndërsa 17 të tjerë pësuan lëndime kritike.

Tre minuta pas shpërthimit të parë, dy kamikazë me motoçikleta u panë duke shpërthyer veten pranë Raja Chambers dhe ndërtesës Jubilee Insurance përgjatë rrugës qendrore të Parlamentit Kampala. Dy bombarduesit vdiqën dhe trupi i një civili u gjet gjithashtu në vend.

Pas bombardimeve, policia dhe personeli i ushtrisë rrethuan rrugët përreth vendeve të shpërthimit dhe kufizuan trafikun në qytet./UBTNews/

Exit mobile version