Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar qytetarët e Republikës së Kosovës se nga sot, ka hyrë në fuqi zbatimi i marrëveshjes reciproke për njohjen e patentëshoferëve ndërmjet Kosovës dhe Italisë.
Në njoftimin për media, MPB-ja ka njoftuar se njohja e patentëshoferëve u mundëson qytetarëve të bëjnë konvertimin e dokumenteve pa pasur nevojë të nënshtrohen procedurave shtesë, as nga pjesa teorike, as nga pjesa praktike.
“Zbatimi i kësaj marrëveshjeje është një hap i rëndësishëm drejt integrimit të qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Republikën e Italisë. Njëkohësisht, kjo marrëveshje do të lehtësojë barrën ekonomike për qytetarët që kanë nevojë ta ndërrojnë dokumentin. Finalizimi i këtij procesi është një hap i rëndësishëm për vendin tonë dhe qytetarët tanë, sepse me këtë rast do të riafirmohen raportet e shkëlqyera që gëzojnë Republika e Kosovës me Republikën e Italisë”, thuhet ndër të tjerash në njoftim.