UBT News

Hykmete Bajrami: LDK do ta shqyrtonte seriozisht ofertën nëse merr postin e presidentit

Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka deklaruar se partia e saj do ta shqyrtonte me seriozitet një marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje, nëse në kuadër të saj LDK-së do t’i takonte posti i presidentit të vendit.

Sipas Bajramit, një zgjidhje e tillë do të krijonte balancë ndërmjet pushteteve dhe do të ishte bazë për diskutime serioze.

“Kur kemi marrëveshje ku LDK-ja potencialisht mund ta marrë pozitën e presidentit dhe kjo konsideroj që është një balancë e pushteteve për Kosovën, atëherë natyrisht që do ta konsideronim me shumë seriozitet një ofertë të tillë”, deklaroi ajo para gazetarëve.

Bajrami u shpreh kundër mbajtjes së zgjedhjeve të reja, duke theksuar se Kosova ka nevojë për një marrëveshje politike që i shërben interesit të vendit.

Ajo theksoi se LDK-ja nuk do ta pranonte postin e kryeministrit nëse do t’i ofrohej nga Albin Kurti dhe shtoi se nuk ka informacione nëse gjatë ditës do të zhvillohet një takim i ri mes palëve.

Sa i përket kandidatit të mundshëm për president nga LDK-ja, Bajrami tha se kjo çështje do të shqyrtohet brenda partisë, me synimin për të propozuar një emër që mund të sigurojë mbështetjen e nevojshme në Kuvend./A.K/

Exit mobile version