Hykmete Bajrami ka dhënë dorëheqje nga pozita e Ministres së Financave. Lajmin e ka konfirmuar Bajrami përmes një shkrimi në Facebook, teksa u shpreh se do të vazhdojë aktivitetin e saj si deputete e LDK-së.
Ajo ka falënderuar kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti, dhe kryetarin në detyrë të LDK-së, Isa Mustafa, teksa ka listuar sfidat dhe zhvillimet që e kanë përcjellë gjatë rrugëtimit të saj në këtë dikaster.
“Gjatë kësaj periudhe si udhëheqëse e Ministrisë së Financave, kam bashkëpunuar ngushtë me stafin e MF-së. Së bashku kemi kaluar nëpër mjaft sfida e zhvillime të rëndësishme në përpjekje për t’u përballur me pasojat e pandemisë. MF gjatë kësaj kohe ka pasur dhe ende e ka barrën kryesore institucionale për çështjet që ndërlidhjen me menaxhimin e efekteve ekonomike të pandemisë. Konsideroj se përkundër vështirësive buxhetore të krijuara si rezultat i pandemisë, ne kemi arritur ta bëjmë më të mirën e mundshme. Reagimi i duhur dhe me masa konkrete evidentohet edhe nga institucionet ndërkombëtare financiare. Si rezultat i angazhimeve tona të përbashkëta, sukseset janë evidente: aktualisht, MF ka rolin kyç në zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike. Si rezultat i masave të marra, ka indikacione serioze që ekonomia do të kthehet në gjendjen e mëparshme në kohë sa më të shkurtër. MF është ndër institucionet prijëse sa i takon zbatimit me përgjegjësi, transparencë dhe profesionalizëm të të gjitha programeve të punës që derivojnë nga dokumentet strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës si: Programi i Punës i Qeverisë, Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike, Programi i Reformave Ekonomike, Plani Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, Agjenda e Reformave Evropiane, Strategjia Kombëtare për Zhvillim, etj”, shkroi ajo mes tjerash.
Bajrami më tej shkroi se si rezultat i qeverisjes profesionale dhe transparente, u bënë partnerë kredibil me institucionet ndërkombëtare duke rritur kështu kapacitetin absorbues dhe implementues të projekteve të donatorëve dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.
“Përkundër situatës së vështirë ekonomike, me recesionin më të thellë ekonomik në vitet e fundit, ne kemi arritur të ruajmë stabilitetin makro-financiar të vendit, të negociojmë dy programe të rëndësishme me FMN-në dhe me Bankën Botërore, programe këto që kanë për qëllim reforma të rëndësishme strukturore dhe mbështetje buxhetore me mbi 250 milion euro për dy vite. Kemi punuar me mjaft efikasitet, në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin e biznesit, me të gjitha odat dhe shoqatat e biznesit. Përmes Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, u është dhënë mundësi grupeve të interesit të përfaqësohen dhe të kontribuojnё me ide e propozime për reforma që synojnë tejkalimin e efekteve ekonomike të pandemisë”, shtoi ajo.
Ish-ministrja ka falënderuar të gjithë stafin e Ministrisë së Financave për punën dhe angazhimin e vazhdueshëm./UBTNews