Tarifat e importit të çelikut dhe aluminit nga SHBA-ja do të dyfishohen nga ora 04:01 sot në mëngjes, pas njoftimit të presidentit të SHBA-së Donald Trump.
Shkalla e tarifës do të rritet nga 25 në 50% të vlerës së mallrave, ndërsa Trump kërkon të korrigjojë çekuilibrat e dyshuara tregtare dhe të forcojë industrinë vendase në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Masa ka të ngjarë ta bëjë më të vështirë importimin e produkteve në fjalë – dhe të çojë në çmime më të larta.
Në vitin 2024, SHBA-ja ishte importuesja më e madhe e çelikut në botë pas Bashkimit Evropian.
Sipas qeverisë amerikane, vendet më të rëndësishme të origjinës janë Kanadaja, Brazili dhe Meksika. Gjermania është gjithashtu midis 10 eksportuesve më të mëdhenj në SHBA.
Sipas Shoqatës Gjermane të Industrisë së Çelikut, SHBA-ja përbën tregun më të rëndësishëm të shitjeve për industrinë evropiane të çelikut.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës furnizohen me alumin kryesisht nga Kanadaja, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kina dhe Koreja e Jugut.
Trump tashmë ka njoftuar, kërcënuar ose zbatuar tarifa të shumta të tjera me qëllimin për të siguruar marrëveshje më të mira tregtare.
Mbetet e paqartë se si do t’i përgjigjet BE-ja masës së fundit.
Komisioni Evropian kritikoi ashpër njoftimin e presidentit amerikan në fundjavë dhe kërcënoi me një kundërpërgjigje para verës.
Megjithatë, sipas informacioneve të fundit, bisedimet kanë vazhduar dhe janë përshkruar si “shumë konstruktive”.
Një tjetër takim midis komisionerit të Tregtisë të BE-së, Maroš Sefcovic, dhe përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-së, Jamieson Greer, është planifikuar sot në Paris.
Nëse Trump i përmbahet vendimit të tij, BE mund të vendosë kundër-tarifa në një njoftim të ardhshëm./atsh