Sot në Kosovë hyjnë në fuqi masat e reja antiCOVID të marra nga Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së shtunës. Masat e reja do të jenë në fuqi deri më 13 shtator.
Me masat e reja është kthyer ora policore, duke filluar nga ora 22:00 deri në ora 05:00. Maska është e detyrueshme gjithandej, përveç në tri raste: Gjatë ngasjes së automjetit vetëm, apo kur në automjet janë prezentë ekskluzivisht anëtarët e ngushtë të familjes; Gjatë vrapit, çiklimit dhe ushtrimeve fizike dhe; Gjatë ngrënies apo pijes.
Fillimi i vitit shkollor është shtyer deri më datën 13 shtator. Po ashtu, është ndaluar shërbimet në gastronomi në hapësirat e mbyllura. Qëndrimi i klientëve (shërbimi i ushqimit dhe pijeve) lejohet vetëm në hapësirat e hapura të lokaleve të gastronomisë. Lejohet shfrytëzimi i jo më shumë se 70% e kapacitetit të hapësirës së hapur. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet.