Partia në pushtet e Hungarisë Fidesz ka paraqitur një legjislacion, që do të ndalonte përmbajtjen që e sheh si promovim të homoseksualitetit dhe ndryshimit të gjinisë, për të miturit.
Legjislacioni do të ndalonte literaturën e komunitetit LGBT për nën 18-vjeçarët, përfshirë materialin arsimor dhe reklamat që konsiderohet se promovojnë të drejtat e homoseksualëve.
Partia Fidesz dhe aleatët e saj kanë shumicën në Parlament – gjë që siguron edhe kalimin e legjislacionit.
Disa grupe të të drejtave të njeriut e dënuan atë, duke thënë se masa është e ngjashme me kufizimet që bëhen në Rusi.
Njëri nga këto grupe, Shoqëria Hatter, tha se propozimi i Fidesz-it “do të frenonte seriozisht lirinë e fjalës dhe të drejtat e fëmijëve”.
Qeveria e Hungarisë dhe ajo e Polonisë janë nën hetime të Bashkimit Evropian, për shkelje të dyshuara të standardeve të BE-së.
Asnjëri prej këtyre vendeve nuk i njeh martesat midis çifteve të gjinisë së njëjtë.
Kushtetuta e Hungarisë thotë se martesa është për çiftet heteroseksuale.
Partia Fidesz e kryeministrit Viktor Orban po përgatitet për zgjedhjet në fillim të 2022.
Burimi: Radio Evrope e Lire