Ministri i Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó, ka thënë të hënën në Prishtinë se Hungaria nuk do të dërgojë trupa dhe armë në Ukrainë, “sepse nuk dëshiron të përfshihet në luftë”.
Ai i ka bërë këto komente para mediave, pas takimit që ka zhvilluar me ministren për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kosovë, Donika Gërvalla.
“Ne kemi marrë edhe një vendim tjetër, ne nuk do të lejojmë që armët vdekjeprurëse të kalojnë nëpër territorin e Hungarisë. Ky vendim është kërkuar për të garantuar sigurinë në Hungari. Arsyeja e këtij vendimi është sepse këto dërgesa mund të kthehen në shënjestra të veprimeve armiqësore ushtarake”, deklaroi ai.
Szijjártó i ka bërë këto deklarata ndonëse më 27 shkurt Hungaria ka marrë pjesë në takimin e Këshillit Evropian, në të cilin ka mbështetur aktivizimin e Kornizës Evropiane të Paqes.
Megjithatë ai ka përmendur se Hungaria ka bërë ndër hapat më të mëdhenj humanitarë, duke përmendur dërgimin e ushqimit dhe ujit./REL