Avokatja e ish-marinsit amerikan të burgosur në Rusi, Paul Whelan, Olga Karlova, ka bërë të ditur se nuk di vendndodhjen e klientit të saj, duke shtuar edhe se administrata e burgut në Mordovia, ku ai po qëndron, ka injoruar kërkesat për informacion. Paul Whelan është dënuar me 16 vjet burgim për akuza të spiunazhit, një akuzë që ai dhe administrata e Shteteve të Bashkuara e kanë mohuar.
Avokatja Olga Karlova u shpreh se humbi kontaktin me Whelan disa ditë më parë dhe tani i ka kërkuar ndihmë Komisionit Monitorues Publik për të gjetur vendndodhjen e tij. Kjo zhdukje vjen në kontekstin e transferimeve të papritura të disidentëve të tjerë në burgje të tjera, duke bërë që ata të jenë të paprekshëm.
Disa ditë më parë, disidentë të tjerë në Rusi janë transferuar pa lajmë në burgje të panjohura dhe aktualisht familjarët dhe avokatët nuk kanë mundur të komunikojnë me ta. Grupet për të drejtat e njeriut kritikojnë rëndë rregulloret ruse për trajtimin e të burgosurve, duke përfshirë praktikat e transferimeve të fshehta të njohura si “etap”, ku kushtet e jetesës janë të vështira dhe të kufizuara.
Paul Whelan, 54 vjeç, u arrestua në Moskë në 2018-n dhe u dënua me 16 vjet burgim në 2020-n, një gjykim që Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë si i padrejtë. Ai është një nga disa qytetarë amerikanë që ndodhen në burgje ruse për akuza të ndryshme, nga spiunazhi deri tek vjedhja dhe tradhti, akuzime që shpesh shihen si të motivuara politikisht./UBTNews/